E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufijtë Shqipëri-Greqi, zbulohet harta e ‘13



Një hartë e vitit 1913, nxjerrë nga Arkivat e Londrës, na kthen gati një shekull pas në kohë, kur Fuqitë e Mëdha vendosnin mbi kufijtë shqiptarë, rreth tryezave të rrumbullakëta e konferencave. Dje, në konferencën shkencore "Shqipëria, nga Perandoria Osmane drejt Pavarësisë dhe shtetformimit", mbajtur në Universitetin Evropian të Tiranës, historiani Romeo Gurakuqi prezantoi një kopje të hartës origjinale të vitit 1913, mbi të cilën janë shenjuar kufijtë jugorë të Shqipërisë. është një hartë topografike, në dy pjesë, e cila dëshmon për vendimin e Fuqive të Mëdha mbi fatin e trojeve shqiptare, por dhe pretendimet greke, që sipas Gurakuqit, kanë qenë thjesht dhe vetëm të bazuara mbi mitologjinë antike të Epirit Helen. Kjo hartë vjen në një kohë kur gjallon debati mbi kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
"Gjetja e një vije ndarëse është ndërlikuar nga strategjia politike greke në rajon, e ndërtuar jo mbi realitetin faktik etnik, religjioz, por mbi një mit të sendërtuar mbi teza të pavërtetuara të historisë antike, të përforcuara në shekujt otomanë në kahun prohelen, por që ndodheshin jashtë konteksteve e realiteteve historike dhe etnike bashkëkohore. Miti i Epirit Helen u imponua mbi kancelaritë e punëve të jashtme të Fuqive të Mëdha, me anën e një propagande të shfrenuar mbi tryezat diplomatike të diskutimeve, nga ana e makinës së diplomacisë helene. Fuqitë e Antantës, filluan t'i referohen këtij miti gradualisht, si ndaj një të drejte aksiomatike të Greqisë" thotë Gurakuqi.
Vendimi i Fuqive të Mëdha
Duke iu referuar fakteve historike, më 29 korrik 1913, Fuqitë e Mëdha vendosën formimin e "një principate sovrane të trashëgueshme dhe neutrale, nën garancinë e Fuqive". Pas diskutimesh të gjata, Fuqitë e Mëdha ranë dakord mes vetes të pranonin ndërtimin e një komisioni për përcaktimin e kufirit jugor të Shqipërisë. Ka qenë Ministri i Jashtëm francez, Stephen Pichon, që i propozoi Ministrit të Jashtëm italian, Tommaso Tittoni, që dy fuqitë e Adriatikut, Italia dhe Austro-Hungaria, duhej ta pranonin komisionin e mësipërm, duke lënë brenda Shqipërisë, Gjirokastrën dhe Korçën.
Sipas prof. Romeo Gurakuqit, gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha arritën të sheshonin një pjesë të kontradiktave dhe gjithashtu qëndrimi intransigjent i Francës në mbrojtjen e paprinciptë të interesave shoviniste greke pësoi një zbutje. Në fillim të muajit gusht 1913, pas propozimit të Ministrit të Jashtëm britanik Grey, drafti i kufirit jugor të Shqipërisë përcaktoi përfundimisht dy pika kryesore: Vija e kufirit do të shkonte nga Korça në Kepin Stillos, duke ia lënë të dyja këto pika dhe ishullin e Sazanit, Shqipërisë; Përfundimisht u ra dakord për një komision teknik, që do të vendoste pikat në terren për të gjitha krahinat e brendshme, me kushtin që të gjithë ishujt e Egjeut, t'i kalonin Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›