Deputetët e PS, urdhër politik për bojkot
Kryeministri Berisha: Seanca ishte plotësimi i një kërkese legjitime të opozitës
Deputetët e opozitës pengohen të hyjnë në Parlament nga urdhri politik. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Sali Berisha në Shkodër për refuzimin e Partisë Socialiste për të qenë pjesë e Parlamentit. “Disa deputetë të PS-së së Shkodrës u shprehën se do të ishin në Parlament nëse do të kishte seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën. Po kështu, edhe nga një zëdhënëse e opozitës u dha ky mesazh. Megjithatë, një urdhër politik nuk i lejon të hynë”, deklaroi Berisha, duke theksuar se seanca e sotme ishte plotësimi i një kërkese legjitime të opozitës së vendit. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se ngjarja e ndodhur në Shkodër, ka bërë që mazhoranca dhe opozita të jenë më të bashkuara se më parë.
“Njeriu i qytetëruar është njeriu që mban përgjegjësi. Fatkeqësitë i bashkojnë njerëzit. Opozita ka qenë e përfaqësuar me dinjitet. Ka pasur një solidaritet të madh. Siç më tha dhe kryetari i Komunës së Dajçit, kryepleqtë i përkisnin PS-së dhe pavarësisht përkatësisë politike, ata kanë dhënë maksimumin”, theksoi Berisha. Kryeministri bëri të ditur dje në Shkodër se qeveria këtë javë do të miratonte parimet, mbi të cilat do të bëheshin vlerësimet për kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e ndodhura në shumë komuna të kësaj zone. Sipas Berishës, vlerësimi për dëmshpërblimin duhet të jetë objektiv dhe i hartuar nga vetë qeveritarët vendorë dhe kryepleqtë e fshatrave.
“Qeveria, shteti, ka të gjitha mundësitë të dëmshpërblejë qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara. Por asgjë nuk do ta nxinte më shumë këtë proces dhe moralin e tij, se sa tentativat për të abuzuar”, bëri të qartë Kryeministri Berisha në fjalën e mbajtur në Komitetin Ndërministror të Emergjencës në Shkodër. Kreu i qeverisë kërkoi nisjen menjëherë të vlerësimit të dëmeve, duke premtuar dëmshpërblim për kompensim të plotë edhe të dëmeve të lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë. “Unë e di se janë jo të pakta familjet që kanë humbur pasuri të tjera, kanë humbur grurin e mbjellë, kanë humbur misrin e depozituar, kanë humbur ushqimin për bagëtinë, pra plot gjëra. Që të gjitha ne do t’i kompensojmë”, premtoi Kryeministri në fjalën e tij. Për sa i përket çështjes së kompensimit, Berisha deklaroi se kompensimi do të bëhej i njëjtë edhe për ato zona të cilat qeveriseshin nga të majtët, pa asnjë lloj dallimi politik. Po kështu, Berisha deklaroi se edhe ndihma po jepet pa asnjë lloj dallimi për përkatësinë fetare.
“Unë i pyeta qeveritarët vendorë të Dajçit dhe u ndjeva mirë kur më thanë se shumica e kryepleqve të Dajçit, ishin anëtarë të Partisë Socialiste dhe se po përmbushin detyrën e vet, me dinjitet të madh ndaj qytetarëve pa asnjë dallim partiak”, theksoi Berisha në fjalën e tij. Po kështu, ai theksoi se kjo fatkeqësi natyrore do të shndërrohet në një seri mundësish të reja për Shkodrën. Berisha theksoi gjithashtu se ai falënderonte të gjithë përfaqësuesit e shtetit shqiptar, të cilët kishin bërë të gjitha përpjekjet maksimale për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës. “Makineria antipërmbytje ka funksionuar plotësisht dhe tërësisht në të gjitha gjymtyrët e saj”, deklaroi Berisha, duke e quajtur të suksesshme punën e bërë për mbylljen e pjesës më të rëndësishme të operacionit të ndihmës. Por Berisha kërkoi nga autoritetet që të vazhdonin punën për superimin e plotë të situatës në Veri të vendit.
#