E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha e urdhëroi moshapjen e digave në 27 dhjetor

Provat
Opozita akuzon për zhdukje të evidencave të prurjeve të kësaj date. Provat për implikimin e qeverisë

Partia Socialiste ka hartuar një tablo të plotë për përmbytjet e ndodhura në Shkodër, për të cilën ka akuzuar direkt Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, si shkaktarë realë të përmbytjes dhe madje duke ngarkuar mbi ta përgjegjësi administrative dhe penale. Në materialin e prezantuar nga deputeti socialist, Erion Braçe, janë rreshtuar evidencat ditore të prurjeve në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, bashkë me shifrat e prodhimit, të cilat bazoheshin në dokumentet zyrtare të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Sipas këtyre dokumenteve, situata alarmante ka ardhur që më 22 dhjetor e ka vazhduar në ditët e para të janarit, kur ka qenë e pamenaxhueshme. Ndërkaq, opozita ka lëshuar një akuzë të rëndë ndaj drejtuesve të KESH-it për zhdukjen e dokumentit për evidencat e datës 27 dhjetor. Braçe tha se ka zëra që në këtë datë ekzistonte një evidencë ku është vendosur një shënim që me urdhër të Kryeministrit nuk duhet të hapen portat e Fierzës. Braçe ka nisur me parashikimin e motit, ku parashikohej arritja e temperaturave pranverore nga data 22 dhjetor, të cilat parashikonin shkrirjen e dëborës. Më pas Braçe ka theksuar se nga 22 dhjetori kuotat në Fierzë janë rritur ndjeshëm bashkë me prurjet dhe sipas rregullores, ministri i Energjetikës duhet të ngrinte komisionin e posaçëm për situatën, i cili drejtohet nga vetë ministri. Sipas raportit të përgatitur nga PS, rezulton se më 23 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 286,37 metra. Në 24 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 287,18 m. Në 25 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 288,08 metra. Më 26 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 288,91 metra. Më 28 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 291,22 metra. Kuota në Fierzë kalon nivelin maksimal të lejuar sipas rregullores për periudhën tetor-shkurt, gjendja kalon në situatë kritike. Më 29 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 292,23 metra. Më 30 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 292,55 metra (kuota në Fierzë kalon nivelin maksimal të lejuar sipas rregullores për periudhën tetor-shkurt, gjendja kalon në situatë kritike). “Ministri nuk formon, nuk thërret e nuk bën funksional Komisionin e Posaçëm sipas rregullores. Përkundrazi, ministri, përmes një bilete “bussines class”, nis pushimet e fundvitit, duke u larguar jashtë vendit. Kthehet vetëm në datën 3 janar. Ministri në këto ditë ka braktisur detyrën, në krye të Komisionit të Posaçëm. Këto ditë përkojnë me përkeqësimin e situatës në liqenet e HC të Drinit dhe bërjen e situatës së pamenaxhueshme”, tha Braçe. Sipas tij, në 31 dhjetor kuota në HC Fierzë arrin në 293,65 metra, teksa situata del jashtë kontrollit në të tre liqenet e HC mbi Drin, duke u bërë pa kthim e pamenaxhueshme. “Ministri nuk është në detyrë. Nuk ka të dhëna se kush, në mungesë të ministrit, drejton Komisionin e Posaçëm sipas Rregullores”, u shpreh Braçe. Ndërkaq ai ka përmendur fakte që sipas opozitës tregojnë keqmenaxhimin e të gjithë kaskadës së Drinit, ndërkohë që arriti në konkluzionet se për këtë katastrofë ka përgjegjës direkt. Kjo, pasi Braçe theksoi se në të gjithë muajt, niveli i importit nga Korporata Energjetike e Kosovës ka qenë në nivele të larta.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›