Rama: Protesta pa kthim, deri në largimin e qeverisë
Apel Presidentit për të ndikuar te Prokuroria
Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka deklaruar dje se socialistët së shpejti do të nisin protestat pa kthim, deri në rrëzimin përfundimtar të qeverisë aktuale. Në fjalën e mbajtur para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se sot ka një arsye më shumë për të rritur rezistencën opozitare, ku qendra e gravitetit është Partia Socialiste.
Protestat
Sipas Edi Ramës, opozita shqiptare nuk ka dy rrugë, por vetëm një, e cila është protesta e pandalshme “pa kthim në shtëpi”. Duke radhitur njëra pas tjetrës katastrofat e ndodhura në mandatin e PD-së, kreu socialist deklaroi se “Gërdeci, Kalimashi dhe Fierza janë tre arsye për të mos lejuar një të katërt e një të pestë, që nuk ka si të mos vijë nëse ne nuk dalim një orë e më parë në rrugën e protestës, pa kthim në shtëpi, deri në përmbushjen e kërkesës sonë, ose në largimin e qeverisë”. Sipas Ramës, ka ndodhur gjithçka që ka mbushur kupën, ndaj ai ngriti pyetjen retorike para anëtarëve të asamblesë: “çfarë ka mbetur pa ndodhur në këtë vend, që ne të shfrytëzojmë deri në fund lirinë e mbetur ende në dispozicionin tonë, për të mos e humbur edhe atë? Janë grabitur zgjedhjet. është ndaluar forcërisht verifikimi i kutive të votimit. Prokuroria është zmbrapsur tërësisht nga rritja e presionit qeveritar. Gjykatat janë strukur nën sqetullën e frikës a në xhepin e korrupsionit. Liria e medias është kushtëzuar kërcënueshëm nga kërbaçi ose kulaçi i qeverisë. Liria ekonomike është bërë peng e klientelave të oborrit familjar të Sali Berishës. Opozita është shpallur aleancë punisto-mafioze. Dhe Shkodra është përmbytur nga llumi i korrupsionit në shtet e i paaftësisë në pushtet. Nuk kemi çfarë presim fare, nëse nuk duam të marrim të tjera dhurata poshtëruese nga qeveria...”.
Bojkoti
Sulmit të mazhorancës ndaj opozitës, Edi Rama i është përgjigjur me një kundërofensivë të fuqishme, ku ka argumentuar delegjitimimin e Kuvendit nga krerët e PD-së. “Kreu i kësaj qeverie fajtore, në vend që ta kërkonte seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit kur i kishte fluturuar Prifti jashtë orbite dhe digat kishin mbetur pa njeri mbi kokë, apo kur i fluturoi edhe spikerja Jozefina jashtë radhe për qokat e saj të kushtueshme turistike, arrin ta përdorë edhe krimin e qeverisë së tij, edhe fatkeqësinë e Shkodrës, për të bërë një diversion të shëmtuar ndaj opozitës, duke i vënë emrin ‘e jashtëzakonshme’, një seance që zhvillohet konform Kushtetutës çdo të hënë të tretë të janarit, tha Rama. Ne nuk kemi asnjë arsye të shkojmë, sepse emergjenca për të përballuar dallgën shkatërruese të krimit qeveritar ka kaluar dhe ka filluar faza kur duhet të përballohen shkatërrimet e bëra, duke e bërë këtë çështje pjesë të pandashme të axhendës së protestave tona. Fatkeqësia e pafalshme e Shkodrës nuk është një motiv i ri për ta futur opozitën në sallën e Parlamentit të kutive të mbyllura, po një arsye më shumë për të nxjerrë nga godina e qeverisë pushtetin e votave të vjedhura”, deklaroi kreu socialist para anëtarëve të asamblesë.
Prokuroria e Presidenti
Lideri i opozitës ka hedhur akuza të rënda ndaj Prokurorisë, se po lë vendin pa drejtësi, ndërkohë që i ka kërkuar fuqishëm Presidentit të Republikës që të ndërhyjë për vënien e drejtësisë.“Gërdeci, Kalimashi, Fierza. Tre humbje katastrofike për shqiptarë të pafajshëm, për mijëra familje të varfra, për një popull të tërë. Tre pikëpyetje të frikshme për Prokuroren e Përgjithshme, për Gjykatën e Lartë të vendit, për vetë Presidentin e Republikës, të cilit dëshiroj t’i them sot se Gërdeci nuk mund të harrohet, Kalimashi nuk mund të anashkalohet dhe Fierza nuk mund të tolerohet, duke i kërkuar publikisht, me këmbëngulje e fjalë të qarta drejtësisë, të mos bëjë padrejtësi. Mungesa e drejtësisë në tre fatkeqësi të këtij lloji është një padrejtësi që ndjell të tjera fatkeqësi të mëdha”, deklaroi Rama.
#