Malaj: Kushtetuta u shit brenda dy orësh nga marrëveshja Rama-Berisha
“Nuk shqetësohemi aspak nga diversioni se cilin nga ne ka blerë Berisha, nëse disa nga ne shkojnë në Parlament”
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi në mbledhjen e asamblesë se “Rama aludoi që shqetësimi ynë për sfidat e PS po heq fokusin nga analiza e përmbytjes së Shkodrës në një debat përmbytës brenda PS”. Duke respektuar krahasimin e përzgjedhur nga Rama, tha ai, dëshiroj të qartësoj se pikërisht përmbytjet mund të ndalen vetëm nga përdorimi i mirë i digave. “Digat e një force politike që duhet të maksimizojnë këtë energji, janë Kryesia e Partisë, është grupi parlamentar dhe Asambleja Kombëtare. Mospërdorimi i tyre sjell keqpërdorimin e energjive dhe rrezikon përmbytje, të cilat në këtë rast përmbysin shpresat dhe përkushtimin e anëtarësisë dhe mbështetësve të PS”, theksoi Malaj. Sipas tij, PS bën shumë mirë që zhvillon një aktivitet për përmbytjet dhe dështimin e qeverisë, por njëkohësisht duhet të mirëkuptojë shqetësimin e ngritur nga kolegët Blushi dhe Zela për një analizë për sfidat tona në vitin 2010 dhe për një rrugëdalje nga bojkoti i institucioneve.
“Ne ju kemi deklaruar kolegëve tanë, që nuk jemi në një protagonizëm personal, por në një ftesë të përhershme dashamirëse dhe vëllazërore për të gjetur një zgjidhje për situatën politike në të cilën ndodhet vendi ynë dhe PS. Kjo është edhe arsyeja që nuk reaguam pse nuk ka media në këtë moment në sallë, duke shpresuar se do të kishte më shumë dashamirësi dhe përgjegjësi për sfidat e PS. Malaj u shpreh se “PS dhe në forumet e saj nuk mund ta fshehin, nuk mund ta spostojnë dhe nuk mund ta zbukurojnë realitetin politik ku ndodhemi. Jemi forca më e madhe politike opozitare, jemi jashtë Parlamentit të vendit, jemi jashtë kontributeve tona të drejtpërdrejta politike”. Malaj e konsideroi të dëmshme euforinë që vjen nga mitingjet tona në raport me përgjegjësinë tonë për hallet e përditshme që kanë anëtarët e PS, mbështetësit e saj dhe gjithë shqiptarët. “Për një forcë politike kaq të madhe, për një forcë politike që ka qeverisur këtë vend, është e papranueshme që kur fillon një aksion politik të mos ketë një exit-strategji, që nënkupton një strategji të suksesshme, jo një pazar të minutave të fundit.
Përgjigjja juaj z.Rama ka qenë e mbetet konstante: Ne nuk duhet të kemi exit-strategji, ajo është përgjegjësi e Berishës”, theksoi Malaj. Ai u shpreh se nuk shqetësohet aspak nga diversioni se cilin nga ne ka blerë Berisha, nëse disa nga ne shkojnë në Parlament. “Për mua ishte shqetësuese shitja që është bërë për të ndryshuar Kushtetutën brenda dy orësh, është e qartë që ka qenë marrëveshje midis dy kryetarëve të dy partive të mëdha politike, duke dëmtuar rëndë sistemin e kontrollit dhe balancës midis tre pushteteve, duke dëmtuar rëndë demokracinë funksionale”, tha Malaj. Ai bëri thirrje që për zgjidhjen kushtetuese të vlefshmërisë së mandateve, duhet të qartësohet veprimi politik, dhe jo të bëhen sofizma me hapësirat ligjore. “Propozoj se duhet të mblidhen me prioritet dhe pa vonesë strukturat politike të PS, si Kryesia, Grupi parlamentar dhe Asambleja Kombëtare për të dalë nga ky ngërç politik i vendit dhe nga ky radikalizim i jetës politike dhe i PS-së.
#