E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e parlamentit kërkojnë shkarkimin e Bollanos



Vasil Bollano kanë shkaktuar reagime të ashpra nga deputetët e të dyja krahëve politikë. Gjatë prononcimeve të tyre të djeshme, deputetë të partive të ndryshme parlamentare kanë kërkuar nga Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Himarës, të Vasil Bollanos. Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka, tha se kryeministri Berisha nuk duhet të heshtë, por duhet të marrë masa ndaj Bollanos, i cili ka shkelur Kushtetutën. “Heshtja e kryeministrit ndoshta lidhet me mbështetjen për PBDNJ-në në zgjedhjet lokale. Berisha ka të drejtë të shkarkojë çdo bashkiak që shkel Kushtetutën”, tha Ceka. I ashpër ka qenë edhe reagimi i kreut të Partisë së Bashkimit Liberal Demokrat, Arjan Starova, i cili ka kërkuar shkarkimin e zyrtarit të lartë të bashkisë së Himarës. “Kryeministri dhe Presidenti e dinë mirë se kur shkelet Kushtetuta e vendit, ndaj Bollano nuk mund të jetë më kryetar bashkie, kur shkel ligjin themeltar të vendit”, deklaroi Starova.
Ndërkohë ish-kryeministri Pandeli Majko ka qenë mjaft i prerë në qëndrimin e tij ndaj kreut të bashkisë së Himarës, teksa i ka sugjeruar që të jap vetë dorëheqjen. “Bollano bën mirë që të iki vetë”, u shpreh Majko. Ndërkohë ish-ministrja e jashtme, dhe deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade deklaroi: “Jam shumë e shqetësuar për përdorimin e termit “zona minoritare”. Ka vite që Bashkimi Europian kërkon që në legjislacionin të mos ketë terminologji si kjo, dhe praktikisht nuk kemi zona të mirëfillta minoritare. Duke ju referuar partisë që përfaqëson interesat e minoritetit, kanë pretenduar gjithmonë që përfaqësojnë edhe minoritete të tjera, dhe për fat të keq rëndom janë të përzierë dhe të përfshirë në incidente vetëm me ata, që e quajnë veten pjesëtarë të minoritetit grek”. Preç Zogaj, kryetari i komisionit parlamentar të politikës së jashtme tha se në zhvillimin e incidenteve të tilla, si ai i Himarës shfrytëzohen edhe faktorët socialë si varfëria dhe prapambetjet. “Ata që mendojnë të krijojnë incidente shfrytëzojnë varfërinë dhe prapambetjet”, u shpreh Zogaj.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›