Pastrimi i parave, dyshime mbi raportimin e bankave
Ligji shqiptar parashikon që çdo transaksion në bankë mbi 20 milionë lekë të rinj, duhet të ketë edhe një deklarim mbi destinacionin e tyre si dhe për rrugën e fitimit të asaj shume parash. Drejtuesit e shtetit shqiptar kanë hedhur dyshime mbi mënyrën e deklarimit të bankave në Shqipëri të parave të pista që mundohen të pastrohen nëpërmjet kanaleve bankare. Deklarata është bërë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë nga drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doshi, i cili tha se kanë lindur dyshime përsa u përket shumave të parave që kalojnë nëpërmjet bankave. “Raportimet mbi pragun, që janë parashikuar mbi 20 milionë lekë, janë të raportuara në një mënyrë e duhur dhe janë precizë. Përsa i përket raportimit të transaksioneve të dyshimta, pastaj këtu lë për të dyshuar, pasi janë subjektive dhe bankat nuk tentojnë ndoshta ta japin tamam atë transaksion të dyshimtë, pavarësisht trendeve që ne ua kemi paraqitur”, - tha Doshi. Aktualisht qeveria ka miratuar një projektligj të ri, që po shqyrtohet në Kuvend, i cili vendos rregulla të reja në këtë fushë. Sipas projektligjit, çdo shumë mbi 1.5 milionë lekë të rinj duhet të raportohet nga ana e bankave për mënyrën e fitimit të tyre si dhe për destinacionin. Drejtori Arben Doshi shprehet optimist në lidhje projektligjin e ri. “Projektligji parashikon raportim përsa i përket CASH-it për transaksionet mbi 1.5 milionë lekë. Shtimi i masave parandaluese që ndërmerren dhe ka koncepte të reja të futura, siç janë vigjilenca e lartë”, - tha Doshi. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë janë shprehur dakord në parim, por gjithsesi, hodhën dyshime në lidhje me eficencën e strukturave shtetërore.
16 Prill 2008