Trafiku i marijuanës, korrierët nxjerrin emrin e kapobandës
Durrës
Droga e kapur në port do të shitej në Itali me 2 mijë euro për kile. Hyjnë në lojë Krimet e Rënda
Korrierët e drogës nxjerrin emrin e personit që drejton rrjetin e trafikut. Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet për trafikun e marijuanës mes vendit tonë dhe Italisë. Në Portin e Durrësit u bllokuan dje 14 kilogramë marijuanë, nga e cila do të përfitohej shuma prej 28 mijë eurosh. Në pranga përfunduan jo vetëm transportuesit, por edhe njeriu që e kishte siguruar dhe bërë pazarin për të. Antidroga dhe policia kufitare arrestuan rreth orës 04.30 të së shtunës tre shtetas nga Mamurrasi të përfshirë në trafikun e saj drejt Italisë, ku sasia ishte porositur nga blerës italianë kundrejt vlerës 2 mijë euro për kilogram. Ndërkaq, një kilogram kanabis sativa e presuar në tregun vendas shitet me 350 euro. Zbulimi i pakove me kanabis sativa të fshehur në automjetin “Fiat Punto” me targa të huaja BG820XV që drejtohej nga Flamur Xeka dhe në të si pasagjer ishte Shkëlqim Xaka u bë natën e së premtes, ndërsa mëngjesin e djeshëm u realizua arrestimi i transportuesve të mallit dhe i trafikantit, emri i të cilit u nxor nga dy të ndaluarit e parë gjatë dëshmisë së dhënë për grupin hetimor. Ernest Alia është i dyshuari kryesor si trafikant i drogës së sekuestruar në port, ndërsa dy të tjerët kanë marrë rolin e transportuesit kundrejt një fitimi të vogël. Gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e të dyshuarit si trafikant i mallit që kishte realizuar dhe kontaktet me blerësit italianë u gjet një tjetër sasi prej 9.35 kg bimë narkotike, si edhe dy automatikë të modeleve 54 dhe 56, 1065 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy presa për presimin e bimës dhe lëndëve narkotike dhe pak para. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, përmes zëdhënëses Ornela Cako, bëri publik emrat e të arrestuarve dhe faktin se ka pasur edhe një tjetër operacion, gjatë të cilit është bllokuar një tjetër sasi më e vogël kanabisi, si edhe është arrestuar një shtetas nga Durrësi. Të arrestuarit në flagrancë të “Emigrantit” janë Flamur Xeka, 32 vjeç, Shkëlqim Xaka, 27 vjeç dhe Ernest Alia, 38 vjeç, të tre nga Mamurrasi. Hetimet e mëtejshme për trafikimin e bimës narkotike në Itali do t’i ndjekë Prokuroria e Krimeve të Rënda, së cilës i kanë kaluar të gjitha materialet procedurale për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim, prodhimit e shitjes së tyre, si edhe armëmbajtjes pa leje.
Ndërkaq, në kuadër të një tjetër operacioni, atij “Shpërndarësi”, antidroga arrestoi në flagrancë 43-vjeçarin Besnik Domi, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 690 gram kanabis sativa e cila ishte ndarë në qese të vogla farmacie gati për shitje. Ndaj Domit rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. E gjithë sasia e bimës narkotike të bllokuar gjatë dy operacioneve policore është 24 kilogramë, ndërsa një ditë më parë u bllokuan dhe 21 kilogramë kanabis sativa që udhëtonte nga Librazhdi drejt Durrësit.
#