Deputetët këtë javë vendosin mbi rregullimin e tregut në media
06/03/2005 Komisioni parlamentar i Mediave do të marrë në shqyrtim këtë javë draftin përfundimtar për shtypin. Deputetët do të tentojnë që të gjejnë një rrugë të pranueshme për të dy projektet, që janë paraqitur për këtë çështje. Duket se propozimi i deputetëve Lesi dhe Braçe do të gjejnë më shumë mbështetje, në lidhje me ndarjen e reklamave shtetërore, si dhe të vendosjes së çmimeve të referencës për gazetat. Tashmë kërkesa për të mos ndihmuar nga ana financiare gazetat, që shiten nën koston e prodhimit, po merr gjithnjë e më shumë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit. Kjo për vetë faktin se nuk është cilësuar e drejtë që shteti të ndihmojë ato gazeta, të cilat shiten nën koston e prodhimit, duke thyer tregun e ndershëm, pasi ndihmohen me reklama nga shteti. Kurse mediat, të cilat shiten mbi koston e prodhimit, janë të detyruara që të përballojnë dhe konkurrencën e pandershmek që hasin në treg. Megjithatkë vetëm nesër deputetët do të vendosin nëse në ligj do të përcaktojnë çmimet e referencës, apo do të lejojnë që dhe në këtë ligj tejet të rëndësishëm për pavarësinë e shtypit të vendosen termat abuzivë. Duhet thënë që deputetët shqiptarë kanë fituar përvojën e duhur, që në ligje duhet të hiqen termat, të cilat të lejojnë që t'i nënkuptosh në mënyra të ndryshme.