E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi vonon çmimet e tokës

06/03/2005  Metodika e paraqitur nga Komiteti Shtetëror nuk është futur në punimet parlamentare

"Metodika" e vendosjes së çmimit të pronave, edhe pse është cilësuar e një rëndësie të veçantë nga të gjitha forcat politike, nuk po e gjen hapësirën e duhur për t'u miratuar në Kuvend. Drafti është paraqitur që prej dy javës në tryezën e parlamentarëve, por deri më tani nuk është parashikuar diskutimi i shpejtë, duke sjellë pezullimin e të gjithë veprimeve për procedurën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Burimet kanë bërë të ditur se vetëm në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së kryetarëve do të zgjidhet enigma, nëse "Metodika" do të miratohet këtë muaj, apo partitë do të vijojnë me debatet politike. Ndërkohë, përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë shprehur shqetësimin e tyre për vonesat, që po sjell mosmiratimi nga ana e Kuvendit të "Metrodikës" për të vijuar më pas me procedimin e punës nëpër komisionet vendore. Duke parë këto vonesa, Komiteti do t'i kërkojë Kuvendit që të bëjë amendamente në ligj për të shtyrë afatet që kanë në dispozicion ish-pronarët për të kërkuar të drejtën e tyre.

Afatet

Pas miratimit nga ana e Kuvendit të ligjit "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave", më 29 korrik 2004, ky ligj duhet të fillonte të zbatohej brenda 90 ditëve nga data e miratimit. Ndërkohë, ky afat ka kaluar prej më shumë se katër muajsh dhe ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave nuk ka filluar të gjejë zbatim në Shqipëri. Miratimi i "Metodikës" nga ana e Kuvendit pritet t'i hapë rrugë zbatimit të njërit prej ligjeve më të rëndësishme të vendit. Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave subjekteve të shpronësuar, sipas përfaqësuesve të Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, "do të fillojë vetëm pas miratimit të 'Metodikës' nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Vonesa që po krijon Kuvendi në miratimin e kësaj "Metodike" ndikon negativisht aktivitetin e punës së Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të pronave".

Komiteti

Komisioni Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në fillimin e javës do të miratojë rregulloren dhe procedurat për komisionet vendore, të cilët janë të shpërndarë në 12 qarqet e vendit. Ndërkohë që KSHKKP-ja është në fazat e përmbushjes së kërkesave që i parashtron ligji, puna për zbatimin e tij po kushtëzohet nga Kuvendi. 12 komisionet vendore, të cilët do të jenë zbatues të ligjit, edhe pse janë krijuar prej më shumë se tre javësh ende nuk kanë filluar punën. Bllokimi në Kuvend i "Metodikës" sjell dhe mosfuksionim të komisioneve vendore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›