Nesër nis diskutimi i konfliktit të interesave
06/03/2005 Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë, nesër, projektligjin për konfliktin e interesave. Në debatin që do të zhvillohet në Komisionin e parlamentar të Ligjeve dhe në atë të Ekonomisë do të paraqiten të dy draftet, si ai i Qeverisë dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zyrtarët e Kuvendit kanë bërë të ditur se diskutimi në të njëjtën kohë i të dy drafteve është për shkak se projektligjet kanë të njëjtin qëllim. Ndaj, është theksuar se diskutimi në të njëjtën kohë do të sjellë arritjen në një projektligj më të plotë, që do t'i shërbejë më mirë luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, deputetët e LSI-së janë shprehur të pakënaqur për veprimin e Kryesisë së Kuvendit, pasi ata e kanë paraqitur projektin e tyre disa muaj më parë. Mbi nenet e draftit të qeverisë, deputetët e LSI së theksojnë se ai më shumë mbështet konfliktin e interesave sesa e lufton këtë fenomen. Nga ana tjetër deputetët e PS-së janë shprehur të hapur për ndryshime të mundshme në draft.