E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët kundërshtarë jo pjesë e protestës

19/11/2009  Pjesëmarrja

Përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste nuk do të jenë pjesë e protestës së 20 nëntorit. Burime pranë kësaj lëvizjeje bënë me dije se, edhe pse nuk ka një vendim të bërë publik, përfaqësuesit e saj, sidomos deputetët socialistë që tashmë njihen si kundërshtarë të kryetarit Rama, kanë zgjedhur që të mos bëhen pjesë e një manifestimi të tillë. Madje, po sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se do të jetë pikërisht përfundimi i kësaj proteste ajo që do t’i hapë rrugë marrjes së një vendimi përfundimtar mbi qëndrimin e këtyre deputetëve përkundrejt Parlamentit. Kjo për vetë faktin se sikundër është deklaruar këta deputetë janë kundër vendimit të marrë nga kupola rozë për të bojkotuar Kuvendin. Megjithatë, sinjalet që vijnë nga ky grupim flasin qartë për një kthim të tyre në sallën parlamentare. Por kjo nuk pritet të ndodhë përpara organizimit të protestës së 20 nëntorit, ku në paralajmërimin e bërë nga lidershipi socialist do të zhvillohet në formën e një barrikade njerëzore, duke synuar që t’i japë një zgjidhje përfundimtare kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit, pra për hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kësisoj, postprotesta pritet të sjellë dhe lëvizjet e radhës në sfondin politik, të cilat janë paralajmëruar prej ditësh. Por ndërkohë, edhe nëse do të ndërmerret një hap i tillë, pra kthimi në Kuvend i ligjvënësve socialistë të njohur si kundërshtarë të kryetarit të PS-së, kjo pritet të ndodhë në kohën e duhur. Pra, do të analizohen të gjitha detajet që lidhen me një çështje të tillë. Kjo pasi kthimin e tyre në Kuvend këta deputetë e shohin si domosdoshmëri për të realizuar pikërisht misionin për të cilin ata janë zgjedhur deputetë të këtij parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›