E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj-Borchardt, takim për zgjedhjet në PD-në e Tiranës

Kandidati për kryesimin e Partisë Demokratike të Tiranës, deputeti Besnik Mustafaj, u takua dje me ambasadorin e Republikës Federale Gjermane, Bernd Borchardt. Biseda u përqendrua rreth reformave kryesore, me të cilat do të përballet Parlamenti në vitin e fundit të mandatit të tij, e ku më kryesoret janë reforma elektorale dhe ajo në drejtësi, si pjesë thelbësore e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ambasadori Bernd Borchardt u interesua edhe për ecurinë e fushatës zgjedhore në degën e Partisë Demokratike për Tiranën. Mustafaj e siguroi diplomatin e lartë, se ai është i vendosur për të zhvilluar një garë serioze, e cila do t‘i shërbejë demokratizimit të brendshëm të partisë dhe vitalizimit të strukturave të saj për të përballuar me sukses zgjedhjet parlamentare që pasojnë, e ku Partia Demokratike duhet të fitojë një mandat të ri. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, i shpjegoi diplomatit të lartë gjerman se deputetët ende nuk janë njohur me projektin e ligjit të ri elektoral. Ai shprehu shpresën se Parlamentit do t‘i jepet koha e mjaftueshme për të zhvilluar një debat të gjerë e të shëndetshëm rreth këtij ligji, i cili duhet të miratohet vetëm pasi të jetë sqaruar dyshimi i përhapur se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po merren vesh për të monopolizuar numërimin e votave, si dhe dyshimi tjetër se në këtë ligj parashikohet ngushtimi me tepri i mundësisë për të konkurruar qoftë për partitë jo parlamentare, qoftë për individët e pavarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›