"Shqipëria deri tani ka ecur vetëm prapa"
Raporti i KE është një raport realist, serioz, tepër kritik, që ndihmon për ecjen përpara të Shqipërisë. Me këtë vlerësim u shfaq dje para medias kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi. Ai vlerësoi se nga ky raport del qartë se qeveria aktuale ka dështuar, se ajo është bërë pengesë për reforma reale dhe nuk mund të garantojë integrimin e zhvillimin e shpejtë dhe të merituar të vendit. "Mjafton shprehja elokuente e gotës gjysmë bosh e gjysmë plot, për të kuptuar se në esencë kemi ecur mbrapa, sepse që në 2005 me firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, gota qe mbushur mbi gjysmën, dhe del që Berisha vetëm e ka zbrazur gjatë këtyre 4 vjetëve", theksoi Gjinushi. PSD konstatoi se raporti qartazi hedh poshtë totalisht fjalimin delirant, poshtërues dhe mashtrues, për opinionin publik, të mbajtur nga kryetari i PD, tri ditë më parë, në Kuvendin-motel të Shqipërisë. "Garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në ‘09 mbetet kusht vetëm për Shqipërinë në raport, pra, del që nuk është realizuar detyrimi dhe angazhimi numër një i kësaj qeverie, kështu afirmohet edhe një herë dështimi i saj në zgjedhjet e 2007", insistoi Gjinushi. Për sa u takon reformave, shtoi ai, të vetmet arritje janë dy projektligje, të votuara me insistimin dhe presionin e opozitës, për organizimin e gjyqësorit dhe sistemin zgjedhor, por ende, theksohet në raport, nuk ka një strategji për reformën në gjyqësor. "Në këtë raport serioz e profesional mund të evitoheshin pasaktësi të tilla si Gërdeci është shpërthim i një depoje armësh, pasi në Gërdec nuk kishte depo armësh, por depo korrupsioni, dhe armatimet çoheshin nga qeveria", tha Gjinushi.