E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Në listën e zezë personat me dokumente false në ambasada

Ndryshe nga shoqatat civile dhe organizatat ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon se numri i aplikimeve për viza për vitin 2008 është rritur me 25%, në krahasim me një vit më parë. Po kështu, sipas sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha, edhe numri i dhënies së vizave është rritur me të njëjtën shifër. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme u kërkon qytetarëve shqiptarë që të paraqesin dokumente të sakta identifikimi, sa herë që aplikojnë për viza dhe të mos u drejtohen rrugës më të shkurtër, asaj të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Por, pavarësisht vendimit të qytetarit dhe komentit diplomatik të Ministrisë së Jashtme, është shteti ai që duhet t‘i mbyllë të gjitha burimet nga ku dalin dokumentet e falsifikuara. Ministria e Punëve të Jashtme është shumë optimiste se janë dhënë më shumë viza pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së lehtësimit të procedurave, por nuk jep statistika të veçanta nga organizata të pavarura, kur refuzimi i vizave i kalon kufijtë e përcaktuar nga vetë marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian.

Zoti Hoxha, në shumë raporte të ndryshme është veçuar fakti që është shtuar mungesa e besueshmërisë te siguria e dokumenteve që aplikantët shqiptarë paraqesin për të siguruar një vizë. Si e gjykoni ju këtë?

Vërejtja që kemi ne, që është konstatuar edhe nga institucionet e tjera dhe që është përmendur kaq shumë deri tani, ka të bëjë me faktin se numri i madh i aplikimeve në disa përfaqësi, si në Greqi dhe Itali, ka bërë që momenti i marrjes së kontaktit dhe momenti kur jepet e drejta për të bërë intervistën është anormalisht i madh. Në disa raste ka shkuar edhe në disa javë. Ky është një problem serioz, që ka të bëjë me aftësinë e ambasadës përkatëse për të mbuluar këtë vëllim pune. Këtë ne nuk e zgjidhim dot dhe e kemi parashtruar në nivelet e vendeve vendimmarrëse dhe arrijmë në disa situata që janë qesharake, kur momenti i intervistës është më i vonë sesa momenti kur qytetari duhej të udhëtonte për në shtetin ku ka kërkuar vizë.

Pas një muaji në Bruksel do të zhvillohet takimi i parë i nivelit të lartë, ku do të diskutohet për marrëveshjen për lehtësimin e vizave, e cila ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2008. Sa e përgatitur është Tirana zyrtare për të qenë në këtë takim?

Shifrat që kemi ne dhe që koincidojnë me ato të seksioneve konsullore të vendeve të Bashkimit Evropian, që japin viza në Shqipëri, është që numri i aplikimeve është rritur me 25% në krahasim me vizat e dhëna më përpara. Po kështu, numri i vizave të dhëna është rritur po me të njëjtën shifër. Por jo të gjithë ata që kanë dëshiruar për të marrë një vizë e kanë marrë një vizë, jo të gjithë ata që kanë aplikuar kanë marrë vizë, pra d.m.th. kemi akoma një shkallë të caktuar, e cila është e ndryshme nga një vend në një tjetër me numrin e refuzimeve.

Ministria e Punëve të Jashtme u kërkon qytetarëve shqiptarë që të paraqesin dokumente të sakta identifikimi sa herë që aplikojnë për viza dhe të mos u drejtohen rrugës më të shkurtër, asaj të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Çfarë sanksionesh do të ketë për ata që i thyejnë këto rregulla?

Numri i refuzimit të kërkesave për marrjen e vizës nuk është se vendoset në mënyrë absurde nga ana e përfaqësisë. Pavarësisht se nuk jepet përgjigje, sepse kjo është praktika diplomatike, ai gjithmonë ka në origjinë ose pasaktësinë, ose mangësinë, ose dokumente të cilat nuk janë në përputhje me atë çka kërkohet në bazë të kërkesave dhe procedurave, apo në rastin më të keq, me dokumente false. Do të doja që këta qytetarë ta dinin dhe ta marrin mirë parasysh se nëse ata do të çojnë dokumente të pasakta, të cilat janë të falsifikuara, do të futen në një listë të zezë, jo vetëm të atij vendi, por edhe të BE-së. Madje, edhe kur të hiqen vizat, kur të bëhet liberalizimi i tyre, ata me pasaportën e tyre biometrike do të kenë probleme për të udhëtuar në vendet e BE-së.

Vëzhgimet

Refuzimi i vizave, shqiptarët kryesojnë

Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave. Në studimet e Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, rezulton se gjithashtu ka probleme me funksionimin e marrëveshjes së lehtësimit, e hyrë në fuqi në janar 2008. Konstatohet se mesatarja e refuzimeve të vizave në Shqipëri është rreth 23% e totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17%. Konsullatat greke mbajnë rekordin me 37% refuzime të vizave, pas tyre vijnë gjermanët me 24%, francezët me 22%, austriakët me 22% dhe italianët me 11%. Nga vëzhgimet e kryera nëpër konsullatat e ndryshme rezulton se shqiptarët ende nuk kanë shpëtuar nga lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqesin dyerve të ambasadave. Koha e pajisjes me viza vazhdon të mbetet një problem dhe në disa raste tejkalon edhe periudhën për të cilën kërkohet viza. Shqetësim tjetër i rëndësishëm është pamundësia për të lënë një datë takimi të afërt me konsullatën për paraqitjen e dokumentacionit, sidomos në konsullatën greke dhe italiane, ku lënia e një takimi për intervistë duket si mision i pamundur. Kjo periudhë mund të shkojë deri në 3 muaj nga kryerja e telefonatës drejt numrave me vlerë të shtuar deri në ditën e parë të intervistës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›