E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BE, Rama: Berisha, Kryeministër i dështuar

Edi Rama deklaroi dje se është skandalizuar nga qëndrimi i turpshëm i Kryeministrit të Shqipërisë, për Progres-Raportin e Këshillit të Evropës. Sipas tij, Berisha, me ta marrë këtë raport nga duart e ambasadorit, pa e lexuar dhe jo më e analizuar, del në konferencë shtypi e flet për suksese, në vazhdën e një strategjie të shëmtuar abuzimi konstant me publikun. "Komenti ynë i detajuar për Progres-Raportin e dalë do të bëhet publik në ditët në vijim, pasi të kemi analizuar imtësisht çdo paragraf të tij", premtoi Rama. Teksa shtoi se, pa asnjë dyshim, mund të themi qysh sot, se një raport, ku thuhet shprehimisht se "korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz e masiv si në rastin e Shqipërisë", nuk mund të jetë në asnjë mënyrë shkak për të folur për suksese. Rama insistoi se duhet të kesh paturpësinë dhe hallin e madh të një Kryeministri kaq të dështuar sa Sali Berisha, që të flasësh për sukses, duke lexuar një frazë të tillë në Progres-Raportin e Komisionit Evropian. "Për një vend si i yni, që sot mbetet prapa dyerve të shtëpisë evropiane, pikërisht se ka 17 vjet që mbahet peng nga politika e vjetër e një grushti njerëzish, ndër të cilët Sali Berisha është jo vetëm më i papërgjegjshmi dhe më i paafti, por edhe më i paskrupullti", u shpreh Rama. Duhet të kesh paturpësinë dhe hallin e madh të një Kryeministri kaq të zënë peng nga korrupsioni, sa Sali Berisha, vijoi ai, që të flasësh për suksese, duke lexuar në Progres- Raportin e Komisionit Evropian, se "ligji për prokurimet publike bie në kundërshtim me legjislacionin e BE-së". Kreu i opozitës u ndal edhe te shprehje të tilla të raportit si "pastrimi i parave, vazhdon të mbetet problem shqetësues", "trafiku i drogës vazhdon të mbetet problem shqetësues", se "krimi i organizuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore vazhdojnë të mbeten probleme shqetësuese". Kryesocialisti këmbënguli se duhet të kesh praktikisht paturpësinë e sekserit të një serbi, që për 3 vjet ka bërë, fal miqësisë me Kryeministrin e vendit, 50 milionë euro në Shqipëri dhe nga ana tjetër hallin e madh të një njeriu që e di fare mirë të vërtetën e Gërdecit, për të bërë atë që Sali Berisha bëri, duke e quajtur sukses Progres-Raportin. "Atë që Sali Berisha bëri të hënën, duke mos i dhënë parlamentit asnjë përgjigje për duzinën e dyshimeve të rënda që lidhin Kryeministrin me veprimtarinë e paligjshme të sekserit të tij serb", tha Rama. Ai shtoi se kreu i ekzekutivit flet për një Shqipëri të lumtur, njësoj si në kohën e të ndjerit Adil Çarçani, kur shqiptarët nuk ushqeheshin dot, ndërsa Televizioni Shqiptar u tregonte pamjet e sukseseve nën udhëheqjen e Byrosë Politike. "Nuk kemi asnjë arsye të gëzohemi ne, opozitarët shqiptarë, nga konstatimet shumë shqetësuese të Progres-Raportit të Komisionit Evropian, por duke qenë se ato janë tregues të një Shqipërie që zvarritet, ndërkohë që Evropa fluturon përpara, arsyet për të mos u gëzuar janë edhe më të mëdha", theksoi Rama. Socialistët ndjehen të revoltuar nga paturpësia e Sali Berishës dhe kori i oborrtarëve të tij, që jo vetëm nuk kanë asnjë aftësi për ta çuar këtë vend përpara, por nuk kanë as edhe një skrupull në përpjekjet për të fshehur të vërtetat e hidhura të keqqeverisjes së tyre.

Bregu e Bode: Raporti më i mirë. Balla e Meksi: Rritje e nivelit të korrupsionit

PD - PS e lexojnë në mënyra të ndryshme raportin e BE

Ashtu siç ndodh gjithmonë në politikën shqiptare, edhe dje Progres-Raporti i BE-së, për vitin 2008, është lexuar në mënyra të ndryshme. Mazhoranca e ka lexuar si një nga raportet më pozitive që është shkruar ndonjëherë për Shqipërinë, ndërsa opozita ka lexuar krejt të kundërtën, duke e vlerësuar si një ndër raportet, i cili ka nxjerr në pah keqqeverisjen nga na e mazhorancës dhe dështimin e saj në fusha të rëndësishme. Këto qëndrime janë bërë publike dje, në sallën e Kuvendit, nga deputetë të opozitës dhe të mazhorancës.

Mazhoranca

Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë diskutimit të tij në Kuvend, pasi ka përshëndetur raportin, ka theksuar se "ai konfirmon progresin e konsiderueshëm të bërë nga qeveria shqiptare në procesin e anëtarësimit në NATO dhe reformave për në BE". Sipas Bodes, "raporti përbën një inkurajim të madh për qeverinë në angazhimin e madh politik të saj për t‘iu bashkangjitur familjes evropiane, duke intensifikuar reformat e kryera deri tani, si ato në fushën fiskale, në uljen e nivelit të korrupsionit etj.". Gjithashtu, me nota optimizmi është vlerësuar Progres-Raporti edhe nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Duke mos u pajtuar me kritikat e bëra nga deputetët e opozitës për raportin, Bregu u është drejtuar deputetëve të opozitës, duke theksuar se "në vend të thoshit një fjalë të mirë për progresin e Shqipërisë drejt BE-së dhe jo për progresin e PD-së, u munduat ta nxini atë që paraqitet në raport". Duke iu referuar dokumenteve analoge të BE-së për Shqipërinë, në periudhën e qeverisjes socialiste, në vitet 2004 e 2005, duke vënë në dukje dallimet e mëdha mes tyre, Bregu tha se, "krahasuar me Raportin e Progresit të BE-së gjatë vitit 2004, perceptimi i korrupsionit për vitin 2008 është i përmirësuar. Korrupsioni mbetet një problem serioz dhe ne nuk e kemi mohuar këtë. Por, tashmë, kemi miratuar një strategji sektoriale, po zbatojmë ligjin ‘për konfliktin e interesave‘, duke e vendosur në këtë mënyrë çështjen e korrupsionit një prioritet madhor tonin". Për Bregun, ky raport është më pozitivë që Shqipëria ka marrë ndonjë herë. Por, ajo ka nënvizuar se një nga pikat, ku raporti thekson se nuk ka pasur progres, është ai i lejeve të ndërtimit, për të cilat thuhet se ka një rënie me rreth 40%.

Opozita

Deputetët e opozitës nuk janë bashkuar me qëndrimin e mazhorancës në lidhje me Progres-Raportin e BE-së për vitin 2008. Opozita e ka vlerësuar si një ndër më kritikët. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka theksuar se "raporti vlerëson me nota negative luftën e qeverisë kundër korrupsionit, mungesën e transparencës në emërimet në administratën publike, ndërhyrjet në sistemin gjyqësor në kundërshtim me ligjin etj.". Po kështu, deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, ka theksuar se, duke iu referua Raport-Progresit të BE-së, sipas së cilit, korrupsioni "mbetet një fenomen i rrezikshëm, serioz dhe i shpërndarë në Shqipëri". Deputetja Meksi ka vënë theksin te nevoja për miratimin e ligjit ‘Për financimin e partive‘, si një çështje që do të ishte në interes të klasës politike, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Gjithashtu, tha Meksi, një nga shqetësimet e raportit të fundit të BE-së është dhe mosfunksionimi i njësive të integrimit evropian në dikastere. "Në 13 ministri nuk janë standardizuar njësitë e integrimit, madje nuk është mbledhur as komisioni i integrimit evropian, duke i kthyer këto struktura në inekzistente", ka theksuar Meksi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›