E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëheqësit e Partisë: marksizëm-leninizmi ide abstrakte

09/03/2005  Si arriti PKSH, si partia më e re në Europë, të injektonte ideologjinë e saj në masa? A e kuptonin udhëheqësit e saj, teorinë marksiste-leniniste? Pse markzismi u konsiderua si ide abstrakte? Si ia doli të ekzistonte PKSH në vitet e para të çlirimit ku nuk kishte status, program për të ardhmen? Si ishte gjendja e Shqipërisë në atë në vështrimin e historianes ruse, Nina Smirnova?

Nina Smirnova në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga ‘Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D. Smirnova, (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshimi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

PKSH-ja ishte partia komuniste më e re në Europë. Gjatë viteve të luftës, numri i saj u rrit nga 130 anëtarë në vitin 1941, në 5 mijë e 267 në fundin e vitit 1944. Por masën kryesor e përbënin fshatarët dhe organet drejtuese përbëheshin kryesisht jo nga shtresat proletare. Në vitin 1945, kur popullsia e vendit ishte pak më shumë se një milion, punëtorët ishin rreth 15 mijë. Në PKSH ata zunë 15%, ndërsa fshatarët 50%. Pjesa tjetër, 35% vinin nga inteligjenca, rinia studentore dhe shtresat e pasura të shoqërisë.

Edhe pse gjatë kohës së luftës, energjitë e komunistëve qenë përqendruar në çlirimin e vendit, që atëherë një vëmendje e madhe iu kushtua përgatitjes së përgjithshme arsimore dhe partiako-politike. Por ky qe një proces i vështirë, duke patur parasysh se shumica e anëtarëve të thjeshtë të PKSH-së ishin njerëz me arsim të ulët, që për pasojë, ulte dhe frytshmërinë e punës ideologjike. Madje dhe vetë udhëheqësit, me përjashtime të rralla, mezi orientoheshin në teorinë marksiste-leniniste. Për ta, në shumë gjëra marksizmi ishte një ide abstrakte, që nuk lidhej dot me forma konkrete të ndërtimit të shoqërisë së re.

Anëtarësimi në parti filloi të cilësohej nder dhe që atëherë shihej si përparësi për të zënë poste me pëgjegjësi në administratë dhe në ndërmarrjet prodhuese. Kjo shfrytëzohej shpesh për qëllime karrieriste. Anëtarësia e partisë filloi të rritej me shpejtësi. Kishte ardhur koha për t’u çliruar nga elementët e huaj. Në nëntor të vitit 1945, KQ i PKSH-së vendosi të bënte spastrimin e radhëve që solli për pasojë përjashtimin nga partia, deri në mesin e vitit 1946, të 1264 personave, d.m.th., më tepër se 10% të të gjithë anëtarësisë. Numrin më të madh të të përjashtuarve, siç dëshmonin materialet e komisionit të posaçëm të KQ-së, i cili kreu këtë punë, e përbënin persona, të cilët nuk e kishin idenë ç’ishte partia në përgjithësi dhe ç’qëllim kishte kjo parti (komuniste), anëtarë të së cilës ata ishin.

Gjendja në organizatën bazë pasqyronte situatën e përgjithshme të PKSH-së, që gjatë katër viteve të ekzistencës së vet nuk kishte bërë asnjë kongres, nuk kishte statut dhe program, ndërsa udhëheqja e saj kishe një përfytyrim të turbullt për mënyrat e zgjidhjes së problemeve, që kalonte vendi. Plenumi i Beratit (nëntor 1944), propozoi një zgjidhje, e cila përmbledhtazi mund të formulohet: të shfrytëzohej përvoja e grumbulluar deri në atë kohë e PKJ-së, përshtatur për veçanësitë shqiptare. Në ato kushte, ky ishte i vetmi variant, vënia në jetë e së cilit ishte, pa dyshim, pozitive, megjithë haraçin e pashmangshëm që duhej paguar për shkak të rrugës së pashkelur, që ishte zgjedhur.

Në fund të vitit 1944 dhe fillimin e vitit 1945, Shqipëria e varfëruar dhe e shkretuar paraqiste një tablo mjerane: tregëtia e paralizuar, komunikacioni dhe mjetet e ndërlidhjes të vjetëruara, popullsia e mbetur pa shtëpi e pa bukë, së cilës i qenë shtuar edhe 25 mijë refugjatë nga Greqia veriore. Sipas regjistrimit të 30-shtatorit të vitit 1945, popullsia e vendit ishte 1 122 044 banorë, prej të cilëve 21.3% qytetarë dhe 78.7% fshatarë. Tirana kishte pak më tepër se 50-mijë banorë, ndërsa Shkodra, qyteti i dytë për nga madhësia, kishte dy herë më pak. Shumica e qyteteve të vegjël të Shqipërisë, dalloheshin nga fshati vetëm nga statusi i përcaktuar nga ndarja administrative.

Pushtuesit shkatërruan apo dëmtuan rëndë vendburimet e naftës në Kuçovë e Patos dhe i lanë minierat e Selenicës e Rubikut në një gjendje aq të keqe, sa qe e pamundur të shfrytëzoheshin. Inventari i industrisë që i kishte shpëtuar shkatërrimit, kishte nevojë të ripërtërihej. Pjesa më e madhe e industrisë së lehtë dhe ushqimore nuk punonte, për shkak të mungesës së lëndës së parë dhe specialistëve. Vëllimi i prodhimit industrial, në vitin e parë pas çlirimit, ishte nën nivelin e para luftës, prodhimi i energjisë elektrike ra në 58% ndërsa ai i tekstileve dhe materialeve të ndërtimit në 38%, etj. Industria e nxjerrjes ishte krejt jashtë ndërtimit, rezerva e arit të vendit qe grabitur nga Mbreti Zog dhe pushtuesit, tregëtia e brendshme dhe e jashtme qe ndërprerë. Vetëm nazistët nxorrën jashtë vendit më shumë së 250 milion franga ari.

Gjendja ishte e vështirë edhe në bujqësi. Shumë fshatra qenë djegur dhe një sipërfaqe e madhe toke ishte djerrë, ngaqë meshkujt qenë në luftë. Numri i bagëtive ishte pakësuar në një të tretën. Viti 1945 u karakterizua nga një thatësirë e jashtëzakonshme. Vendin po e kërcënonte uria. Vetëm ndërhyrja në kohën e duhur e UNRRA-s, që dha për Shqipërinë diçka më shumë se 27 miliondollarë për ndihma ushqimore dhe për rimëkëmbjen e zhvillimin e bujqësisë, shmangu katastrofën njerëzore.

Përpara qeverisë së përkohshme demokratike qëndronte detyra e vendosjes së rendit dhe rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë popullore. Një nga transformimet që kishte rëndësi të madhe parimore për perspektivën e zhvillimit të vendit, ishte riorganizimi i drejtimit të industrisë. Kontrolli i shtetit, i vendosur në vitin e fundit të luftës në të gjitha ndërmarrjet, të cilat u përkisnin sipërmarrësve më të mëdhenj shqiptarë e të huaj, mori formë ligjore. Më 15 dhjetor të vitit 1944, ky sistem u shtri edhe mbi të gjitha ndërmarrjet industriale, të cilat i përkisnin borgjezisë shqiptare, duke bërë të mundur kufizimin e sabotimit të hapur dhe nxjerrjen në pah të të gjitha burimeve materiale të mundshëm.

Kontrolli i ndërmarrjeve realizohej nga komisarët e qeverisë, të emëruar nga ministria e industrisë. Detyrat e komisarëve ishin: inventarizimi i pasurisë së ndërmarrjes, kontrolli i prodhimit, i shpërndarjes dhe i akteve të shitblerjes. Në punën e vet, komisari mbështetej te kontrollori, njëri prej punëtorëve të ndërmarrjes, i caktuar nga organizata profesionale. Në mënyrë të veçantë, ai kujdesej për mbrojtjen e interesave ekonomike të punëtorëve, që të ardhurat e ndërmarrjes të shpërndaheshin në mënyrë të drejtë. Ky ishte hapi i parë në rrugën e përvetësimit të metodave të drejtimit nga punëtorët.

Në dhjetor të vitit 1944, qeveria vendosi konfiskimin e pronave të të gjithë emigrantëve politikë. Një vendim i veçantë i kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar u jepte; qeverisë, komandës ushtarake, këshillave nacionalçlirimtare, të drejtën të rekuizonin për nevojat e forcave të armatosura dhe në interes të rimëkëmbjes së vendit materiale ndërtimi, lëndë djegëse, mjete transporti, ndërtimi, etj. Transporti automobilistik përjashtohej me kushtin e pagimit të qerasë, ndërsa llojet e tjera të pronësisë paguheshin me çmime fikse, të vendosura nga organet shtetërore. Vendimi shërbeu si bazë për rekuizimin në prill të vitit 1945, të të gjithave mjeteve të transportit dhe të atyre pak ofiçinave ekzistuese.

Që në fund të vitit 1944 u shpall mobilizimi qytetar i specialistëve. Inxhinierët, gjeologët, mjekët dhe specialistët e fushave të tjera ishin të detyruar të merrnin pjesë në rimëkëmbjen e vendit. Në Shqipërinë e paraçlirimit, inxhinierët dhe personeli i kualifikuar teknik në fabrika, miniera, elektrostacione, përbehej nga italianë ose përfaqësues të inteligjencës shqiptare të arsimuar në Itali, Austri dhe vende të tjera. Jo të gjithë specialistët vendas e pranuan pushtetin e ri, të cilin e shihnin si të përkohshëm. Prandaj pronarët e rinj nuk u tërhoqën në procesin e prodhimit me anën e bindjes, por me masa shtrënguese.

Në janar të vitit 1945, doli ligji mbi konfiskimin e pronave shtetërore italiane dhe gjermane në Shqipëri. Fill pas tij, me një vendim të veçantë të qeverisë së përkohshme, u shtetëzuan pa shpërblim pronat e shoqërive më të mëdha italiane. Prej tyre, u krijuan ndërmarrjet e mëdha shtetërore. Kjo bëri që e gjithë industria nxjerrëse, pjesa më e madhe e industrisë përpunuese dhe fermat bujqësore kapitaliste të dhëna me konçesion, të kalonin në pronësi të shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›