Rexhepi: Së shpejti lëvizja me letërnjoftime Kosovë-Maqedoni
_50064_thumb_large.jpg)
Ministri i Brendshëm i Kosovës paralajmëroi sot në Shkup se së shpejti do të aplikohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës dhe Maqedonisë vetëm me letërnjoftime, njofton agjencia e lajmeve INA.
Ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe Kosovës, Gordana Jankullovska dhe Bajram Rexhepi sot në Shkup nënshkruajtën marrëveshjen dypalëshe për aplikimin e patrullave të përziera për sigurimin e kufirit shtetëror midis dy vendeve.
Ministrat Jankullovska dhe Rexhepi kanë vlerësuar si tejet të mira marrëdhëniet midis dy vendeve në nivel të MPB-ve, duke marrë parasysh edhe takimet e shpeshtuara dypalëshe në nivele të larta, por edhe rregullimin e marrëdhënieve në planin e firmosjes së marrëveshjeve.
Ministrja Jankullovska deklaroi se kjo marrëveshje dypalëshe është bazë plotësuese për menaxhim të përbashkët të kufirit dhe sigurimin e tij dhe se në këtë drejtim është shprehur gatishmëri dhe qëllime të përbashkëta për parandalimin e kontrabandës dhe veprimeve të tjera të paligjshme.
Ata shprehën gatishmëri për hapjen e kufijve për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave, për interes të të dyja vendeve.
MPB e Maqedonisë ofroi projektin për formimin e Qendrës së përbashkët të komunikimit midis dy dikastereve, një model që funksionon me MPB-në e Bullgarisë, funksioni i së cilës do të jetë kalimi më i shpejt i kufirit nga ana e udhëtarëve dhe mallrave.
Ministri Rexhepi theksoi se kjo nismë do të shqyrtohet shumë shpejt dhe do të ketë përgjigje nga ana e tyre. Ministri kosovar shtroi çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime, mirëpo pas aplikimit të dokumenteve biometrike.
Dy ministrat gjithashtu shqyrtuan mundësinë e hapjes së kalimeve të tjera kufitare midis dy vendeve. Në kuadër të delegacionit kosovar kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të policisë kosovare. (INA)