Në samitin e Sarajevës Shqipëria merr aprovimin për hyrjen në “Schengen”

Kryenegociatori shqiptar për vizat, Turdiu
Vendimi për liberalizimin e vizave ndaj Shqipërisë do të shpallet ne Samitin e Sarajeves, ku zyrtarët më të lartë të Brukselit dhe krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mbi perspektivën dhe integrimin e rajonit. Kryenegociatori shqiptar për vizat me Bashkimin Evropian, Gazmend Turdiu sqaron se si kanë ecur procedurat deri tani. Sipas tij, Shqipëria ka plotësuar kushtet dhe se pret vlerësimin e Komisionit Evropian, i cili publikohet vetëm pas pak ditësh. “Ne jemi në fazën tani ku po presim që komisioni mbi bazën e raporteve të paraqitura nga ana jonë dhe mbi bazën e raporteve të eksperteve që kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë vlerësuar në vend progresin që ka bërë Shqipëria për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit, shpresojmë që Komisioni Evropian të formulojë opinionin pozitiv për t’ja paraqitur për miratim Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Evropian. Ajo që besohet dhe shpresohet të ndodhë në samitin e Sarajevës është që ky opinion të bëhet publik. Samiti i Sarajevës nuk ka të bëjë me marrjen e vendimit për vizat. Shpresojmë që aty të bëhet e ditur zyrtarisht në mënyrë publike që KE ka arritur një konkluzion në raport me dialogun për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën”, u shpreh, Turdiu. Shqipëria është në një përparësi të theksuar për sa i takon përmbushjes së kritereve të Komisionit Evropian, gjë të cilën e kanë vlerësuar ekspertët e KE-së dhe eurodeputetët e Parlamentit Evropian. Nisur nga ky fakt i prekshëm, vendimi i Komisionit Evropian pritet t’i japë një shtysë të mëtejshme këtij procesi, deri në hyrjen në fuqi të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën “Schengen”
...