Ëndrrat e Ramës për penalizimin e Shqipërisë s’do të realizohen

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha reagon ndaj shpifjeve mediatike lidhur me shtyrjen e afatit për heqjen e vizave, duke rikonfirmuar se Komisioni Evropian do të ketë një raport pozitiv për “Schengenin” dhe se keqpërdorimi që Rama po u bën mediave të tij, nuk do t’ia realizojë ëndrrën e fshehur në sirtar për penalizimin e Shqipërisë
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha hodhi poshtë dje dezinformimet e publikuara në disa media të shtypit të shkruar, sipas të cilave Shqipëria rrezikon liberalizimin e vizave për shkak të mospërmbushjes së kritereve.
“Ka një keqpërdorim të disa mediave nga Edii Rama, i cili ka nxjerrë prapë nga sirtari ëndrrën e tij se Shqipëria do të penalizohet. E kundërta është e vërtetë. Presim së shpejti një propozim pozitiv nga Komisioni Europian që do t’i hapë rrugën një vendimmarrjeje pozitive për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Basha.
Kjo u deklarua nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili duke iu referuar edhe deklaratës publike të vetëm pak ditëve më parë të Komisioneres për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë Malstrom dhe eurodeputetëve Kukan dhe Fajon, tha se Komisioni Europian do të ketë një raport pozitiv për Shqipërinë dhe se do të mbahet premtimi për marrjen e vendimit për heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës.
Sipas Bashës standardet e vendosura nga Shqipëria, si për sa i përket dokumenteve të identifikimit ashtu edhe në sigurinë e kufijve janë më të lartat në rajon. Këto qëndrime Ministri Basha i paraqiti në një komunikim me median pas takimit me Prokurorin e Antimafias së Leçes, Cataldo Motta.
Basha dhe Motta ndërsa vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm që ka konsistuar edhe në finalizimin me sukses të disa operacioneve të rëndësishme kundër tentativave për trafik nga grupe të krimit të organizuar, shprehën gatishmërinë dhe vendosmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në fazën e re të luftës kundër krimit të organizuar që ka të bëjë me goditjen dhe konfiskimin e aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.