E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria meriton “Schengenin”, ka plotësuar standardet

Ministri i Jashtëm, Meta merr garancinë e homologut të tij sllovak, Lajçak për liberalizimin e vizave


Në turin e takimeve për të lobuar në procesin e liberalizimit të vizave, Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta është takuar këtë herë me homologun e tij të Sllovakisë Miroslav Lajçak. Ky i fundit është shprehur përmes një apeli drejtuar Bashkimit Evropian, se duhet të mbahet premtimi, për të hequr vizat me Shqipërinë. Në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, Lajçak vlerësoi angazhimin institucional të qeverisë shqiptare në drejtim të plotësimit të kritereve të Komisionit Evropian, duke deklaruar vendi i tij mbështet fort Shqipërinë. Lajçak u shpreh se Shqipëria e meriton vendimin për liberalizimin e vizave duke theksuar se ai duhet të merret shumë shpejt. Gjithashtu Lajçak konfirmoi mbështetjen absolute të Sllovakisë për integrimin e shpejtë të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ministri sllovak, Lajçak vlerësoi rolin shumë konstruktiv që luan Shqipëria në rajon, si një faktor paqeje dhe stabiliteti dhe shprehu bindjen se të dy vendet do të punojnë së bashku për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Meta e njohu homologun sllovak me arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, dorëzimin e Pyetësorit nga kryeministri Berisha dhe përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Meta theksoi se Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave si një çështje dinjiteti dhe shprehu besimin se ky vendim do të merret së shpejti nga Bashkimi Evropian. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, tregues i qartë i të cilave është dhe hapja reciproke e Ambasadave në Tiranë dhe Bratislavë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›