Deputetët socialistë s’pranojnë verën e Topit
• Një grup deputetësh socialistë nuk kanë pranuar dy shishe verë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka dërguar atyre nga ana e tij.Kjo ka ndodhur dje në restorantin italian "Aragosta", në qytetin e Durrësit, ku presidenti ka qenë me bashkëshorten dhe një nga miqtë e tij më të afërt brenda PD-së, deputetin e këtij qyteti, Sami Gjergjin. Pak tavolina më tej, nën shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, një grup deputetësh socialistë po drekonin, kur presidenti i shoqëruar, ka hyrë në lokalin që e frekuenton shpesh në qytetin bregdetar. Pasi kanë marrë porosinë nga tavolina e presidentit Topi, kamerierët i janë drejtuar tryezës së deputetëve socialistë pak metra më tutje, ku ishin Erion Braçe, Ndriçim Hysa, Musa Ulqini, Alfred Dalipi, Kastriot Islami, Blendi Klosi dhe Marko Bello. "Këto dy shishe verë janë për ju nga tryeza e Presidentit të Republikës", iu drejtua njëri prej kamerierëve deputetëve socialistë, të cilët u befasuan nga kjo "qerasje presidenciale". Meqenëse deputetët po konsumonin prodhime deti dhe peshk, vera ishte e bardhë, italiane dhe e një cilësie të lartë. Burime nga tryeza e socialistëve, thanë se, ata nuk pranuan verën që Presidenti i Republikës "ua kishte taksur", duke u justifikuar se duhet të kishin dërguar ata një verë për çiftin presidencial, meqenëse i kishin gjetur në lokal. Madje, një prej deputetëve socialistë, që njihet si "fabrika e batutave" i ka thënë kamerierëve se "jemi deputetët e Edi Ramës dhe jo të Ina Ramës". Ky refuzim nuk është pëlqyer nga presidenti, i cili kur është larguar i ka përshëndetur ftohtë në distancë deputetët socialistë, të ndodhur në lokalin e preferuar. Restoranti "Aragosta" mbetet një nga të preferuarit e presidentit Topi, pasi edhe herë të tjera ka qenë klient i tij. Pak kohë më parë, Topi ftoi në një drekë miqësore joformale një grup deputetësh mbështetës të tij në Partinë Demokratike. Ish- nënkryetari i PD-së, kishte ftuar në këtë drekë, jo vetëm deputetë, por edhe ministra të qeverisë "Berisha" si ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka apo edhe ish-ministri Besnik Mustafaj, madje dhe zv/kryeministrin Gazmend Oketa. Edhe pse para kësaj dreke Topi kishte takuar kryeministrin Berisha në presidencë dhe ministrat sapo kishin mbaruar mbledhjen e qeverisë, në rrethet politike ajo u trajtua si "garë force" brenda PD-së në mbështetje të presidentit. a.l