Të pakënaqurit e PDK, promemorie te Ndoka
• Të pakënaqurit në Partinë Demokristiane kanë hartuar dje një kërkesë, të cilën ia kanë paraqitur kryetarit të partisë, Nard Ndoka.Kështu, burime pranë këtij grupi bëjnë të ditur për gazetën se, një promemorie me pesë pika i është dorëzuar kreut të demokristianëve, i cili nga ana e tij ka premtuar se do t'i marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat. Kështu në krye të këtyre kërkesave është respektimi i statutit të Partisë Demokristiane, për të cilin të pakënaqurit kanë pasur ankesa të vazhdueshme. Kërkesat e tjera të të pakënaqurve kanë të bëjnë me mbledhjen e kryesisë, mbledhjen e këshillit kombëtar dhe rishikimin e personave që emërohen nëpër drejtoritë që ka Partia Demokristiane. Burime pranë takimit bëjnë të ditur se, zv/ministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi i është drejtuar kryetarit Ndoka duke i thënë se, partia po rrëshqet majtas. Ndërkohë bëhet e ditur se, kreu i demokristianëve ka propozuar ngritjen e një grupi pune, i cili do të merret me shqyrtimin e kërkesës. Por ajo që bie në sy në kërkesën e Gurakuqit është fakti që ai nuk kërkon mbledhjen e kongresit të jashtëzakonshëm, nga i cili do të kërkohej shkarkimi i kryetarit Ndoka.