Vulchanov takon kryetarët e partive parlamentare
• Nikolai Vulchanov, shef misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR mbërriti dje në Tiranë për takime treditore me të gjithë përfaqësuesit e politikës shqiptare për reformën zgjedhore. Shqetësimi për bllokimin e komisionit të Reformës Zgjedhore është shprehur qartë në takimet e djeshme, që kreu i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it, por dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bosch, kanë zhvilluar me dy bashkëkryetarët e këtij komisioni, Islami dhe Rusmajli. Mësohet se dy përfaqësuesit e lartë të misioneve monitoruese, kanë shprehur mbështetjen e tyre për variantin e paraqitur nga Partia Socialiste dhe që është pranuar në parim edhe nga përfaqësuesit e PD-së. Në takimin me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Vulchanov dhe Bosch, kanë rënë dakord që në kushtet aktuale politike në Shqipëri, sistemi zgjedhor do duhet të jetë proporcional. I mbetet partive në komision të vendosin nëse ky proporcional do të jetë i pastër apo rajonal. Burime nga Partia Socialiste pohojnë se hartimi i draftit të saj për reformën zgjedhore është bërë përmes konsultimeve të gjata dhe të vazhdueshme me ekspertët e OSBE-ODIHR-it për zgjedhje. Por edhe në takimet e mëvonshme me kryetarët e partive parlamentare, monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve në Shqipëri janë informuar për ecurinë e reformës zgjedhore, por kanë marrë dhe platformat e këtyre partive për këtë reformë. Shtyrja e tretë e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe mosarritja ende e rezultatit të kërkuar, ka vënë në alarm vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët pas zgjedhjeve të ardhshme do të hartojnë raportin aq të referueshëm për standardet e tyre. Përfaqësuesit e lartë të misioneve monitoruese do të takohen sot dhe nesër edhe me kryeministrin Berisha dhe presidentin Topi, në funksion të nxitjes së punës së komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përmbushjes së të gjitha detyrimeve që qeveria ka për infrastrukturën zgjedhore, siç janë kartat e identitetit dhe listat e zgjedhësve. Vetëm pak ditë më parë, kreu socialist Edi Rama u është drejtuar të gjitha partive parlamentare me 5 opsionet e PS-së për reformën zgjedhore, ku në tre prej tyre, të gjitha partitë kanë rënë dakord. Sistemi zgjedhor dhe listat e kandidatëve mbeten ende pika më e dobët për të cilën partitë nuk po gjejnë konsensus. a.l