Deputeti Arben Malaj lë grevën e urisë
Pas gati dy javësh në grevë urie, deputeti Arben Malaj ka lënë dje çadrën e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ai është detyruar të largohet për arsye shëndetësore. Sipas deklaratave të dhëna prej tij në media, Malaj ka bërë të ditur se largimi nga greva e urisë është bërë pas këshillës së mjekëve që asistojnë rreth 170 pjesëmarrësit e mbetur në çadër. “Nuk jam larguar nga greva. Kam mirënjohje për kolegët që bëjnë grevën. Unë mbështes grevën dhe kërkesën për transparencë”, ka deklaruar Malaj në mediat televizive. Në një kuptim simbolik, ai është grevisti i parë që largohet nga çadra i pashoqëruar në barelë, duke pasur parasysh itinerarin tanimë të zakonshëm të pjesëmarrësve të tjerë. Ndërkohë, situata shëndetësore e atyre që vijojnë grevën e urisë paraqitet e rënduar. Sipas mjekëve që mbajnë nën kontroll mjedisin njerëzor brenda çadrës, pas 15 ditësh refuzimi për t’u ushqyer është e logjikshme që simptomat e shëndetit të nisin të bëhen problematike. “Grevistët janë më nevrikë, janë më të lodhur, rrinë vetëm shtrirë, por pas protestës së djeshme pati një ngritje të moralit. Megjithatë, gjendja e tyre po rëndohet, pasi jemi në ditën e 15-të të grevës së urisë”, u shpreh mjekja Alketa Hila.
#