Lohan: Të arrihet marrëveshja
Zyrtari i dërguar direkt nga Brukseli në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan, i ka kërkuar mazhorancës dhe opozitës që të miratojnë sa më shpejt që është e mundur marrëveshjen e pritur për zgjidhjen e krizës. Diplomati gjerman që drejton Delegacionin e Komisionit Europian në Shqipëri, nuk është ndalur në përmbajtjen e marrëveshjes, por ka dhënë mesazhin e qartë që në fakt është një ultimatum. “Bashkimi Europian do të mirëpriste çdo marrëveshje mes udhëheqësve politikë shqiptarë, që do të respektonte parimet themelore demokratike, që janë Kushtetuta dhe transparenca”, ka deklaruar Lohan. Ai ka theksuar se ditën e martë në Bruksel, Bashkimi Europian nënvizoi rëndësinë për të gjitha palët që të bashkëpunojnë aktivisht, në mënyrë që të rivendosin një funksionim parlamentar të pandërprerë. “Por që nga e marta, nuk kemi parë asnjë përparim në Parlament dhe asnjë përparim në rrugë. Tani është koha që udhëheqësit politikë shqiptarë t'i japin fund ngërçit politik në Shqipëri”, ka shtuar Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian. Prej dy javëve pas një takimi urgjent të mbajtur në Tiranë mes ambasadorëve të vendeve të BE-së, është vendosur nisja e një aksioni diplomatik, që ka si qëllim dhënien fund të krizës politike në vend. Në këtë aksion, si aktorë kryesorë janë caktuar ambasadori spanjoll, Manuel Montobio, i cili përfaqëson Presidencën e BE-së, si dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan. Dy diplomatët zhvilluan një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ku bënë thirrje për nisjen e një dialogu politik, në të cilin janë angazhuar që të kontribuojnë aktivisht. Ndërkaq, më 11 maj, në Bruksel u mbajt mbledhja e Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, në të cilën u miratua një deklaratë përfundimtare që përcaktonte detyrime për qeverinë shqiptare, të cilat dje i ka kujtuar edhe ambasadori Lohan. Në këtë dokument të miratuar në Bruksel theksohet ndër të tjera: “Bashkimi Europian u bëri thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv, përfshirë Parlamentin. Parlamenti duhet të funksionojë në mënyrë të plotë”.
Këshilli i Stabilizim-Asocimit theksoi se forcimi i shtetit ligjor dhe veçanërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe mbarëfunksionimi i institucioneve shtetërore, veçanërisht pavarësia e gjyqësorit, mbeten sfida urgjente për Shqipërinë. Këshilli gjithashtu nënvizoi që duhen përforcuar më tej kapacitetet administrative dhe duhet të sigurohet pavarësia e administratës. Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të përmirësuar kushtet për lirinë e medias. Këshilli konstatoi që Shqipëria ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve të vendosura në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave. Këshilli e inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë rolin e vet konstruktiv në stabilitetin e rajonit.