Deputeti Babasi i kërkon Berishës ndërhyrje në Arsim
Gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti i Fushë-Krujës, Ndriçim Babasi, kërkoi nga ana e qeverisë që të shtohen investimet në Arsim. Deputeti Basasi i shfaqi rezerva kryeministrit Berisha, duke deklaruar se situata lë për të dëshiruar në këtë fushë të rëndësishme. “Unë e shoh në zonën time që klasat janë me nga 50 nxënës, pa folur më tej për kushtet dhe mjetet mësimore. Mendoj se duhet të bëhet më shumë në arsim”, - mësohet të ketë thënë deputeti Babasi në mbledhjen e grupit të PD-së, i cili u bë me dyer të mbyllura. Kryeministri Berisha ka premtuar se gjatë këtij viti janë programuar investime të shumta në arsim si dhe është parashikuar fondi për rritjen e pagave të arsimtarëve. Berisha është shprehur se vitin tjetër do të ketë rritje në investimeve në infrastrukturën e arsimit si në ndërtimin e shkollave të reja, ashtu edhe në bazën e mësimdhënies.
13 Maj 2008