Kreu i Parlamentit gjerman premton mbështetje për Shqipërinë
Kryetari i Parlamentit gjerman, Norbert Lammert, gjatë vizitës së djeshme në Tiranë është takuar me personalitetet më të larta të vendit si presidenti Topi, kryetarja e Kuvendit Topalli dhe kryeministri Berisha. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, Lammert tha se Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë në ambiciet e saj euroatlantike si hyrja në BE dhe në NATO. Lammert dha mbështetjen e tij edhe për Kosovën, ku u shpreh se pavarësia e saj janë një garanci për paqen në rajon. “Pas shumë vitesh izolimi, Shqipëria e kërkoi dhe e gjeti rrugën për integrim në Europë dhe sigurisht që vizita ime këtu synon të japë një nxitje të mëtejshme kësaj rruge dhe këtij bashkëpunimi mes dy vendeve. Në këtë kuadër, ne i përshëndesim përparimet që ka bërë Shqipëria në periudhën e fundit, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Ne do ta shoqërojmë zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë me një mbështetje edhe më të madhe”, - tha Lammert.
13 Maj 2008