Deputeti Fatos Beja shpjegon formulën për hartimin e dokumentit të ri
Mazhoranca e vendosur për ndyshimet në kod, pritet pajtimi i socialistëve
TIRANë- Kur debati për ndryshimin e kodit të zgjedhjeve ka zënë një vend të konsiderueshëm të politikës së ditës, deputeti i mazhorancës Fatos Beja kërkon një formulë të re për komisionin që do të bëjë këtë ndryshim.
Sipas tij, komisioni bipartizan i reformës elektorale mbetet peng i vullnetit politik i dy partive të mëdha dhe bllokohet sa herë që njëra prej tyre bojkoton. “Janë dukuri të cilat trashëgohen nga njëra zgjedhje në zgjedhjen tjetër. Për shembull, përbërja e komisioneve, duhet të jetë bipartizan, apo nuk duhet të jetë. është një çështje për tu diskutuar, sepse ne kemi parë tashmë gjatë gjithë proceseve të zgjedhjeve të mëparshme që ekziston rreziku i ikjes së një pale nga komisioni me qëllim dëmtimin e palës tjetër, sepse ikja bëhet në ato vende ku fiton tjetri. Këtë dukuri do e lëmë apo do e mbyllim”, u shpreh deputeti demokrat, Beja.
Partia Demokratike propozon konsultime dhe me partitë e vogla jashtë parlamentit për gjetjen e një strukture të përshtatshme për komisioni që do të ndryshojë ligjin e zgjedhjeve.
Por sipas deputetit Beja, këtë rol mund ta luajë fare mirë dhe komisioni hetimor i kërkuar nga opozita, i cili nuk u vu asnjëherë në punë. “Në qoftë se duam seriozisht të merremi me këtë punë dhe nuk kemi në mendje gjëra të tjera, arritjen te pushteti me rrugët e presionit...të gjitha janë të hapura. Si të dëshirohet, është e mundur, ky komision, komision tjetër, me të ftuar të tjetër, të gjitha rrugët janë të mundshme”, vijon Beja.
Ideja e ndryshimit të kodit të zgjedhjeve erdhi në skenën politike paralel me atë të votimit elektronik. Por për të ndërmarrë një veprim të tillë duhet një shumicë e cilësuar mazhorancë-opozitë në Kuvend. Kryeministri Berisha është shprehur për një përshpejtim të punës në drejtim të ndyshimeve në Kodin Zgjedhor, duke u shprehur i gatshëm për një bashkëpunim të mundshëm me opozitën. Edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është shprehur se Kodi Zgjedhor, duhet të jetë axhenda kryesore politike e mazhorancës dhe opozitës.