Deputeti i PASOK: Integrimi në BE, plotësoni kërkesat e minoritetit
Deputetë dhe zyrtarë grekë vazhdojnë t'i kërkojnë Shqipërisë plotësimin e kushteve ndaj minoritetit grek, duke i vënë si kushte edhe votat pro integrimit euro-atlantik. Gjatë një ceremonie të zhvilluar në Derviçan të Gjirokastrës, deputetë të PASOK-ut të Greqisë kanë mbrojtur qëndrimet e "Omonia"-s dhe të kreut të saj, Vasil Bollano, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Bashkisë së Himarës. Deputeti i PASOK, Mihalis Pandullas duke folur në këtë takim tha se "Greqia dhe politika greke janë të mendimit se Omonia mbështet integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe është për të ardhur keq që mediat, politikanë dhe persona të ndryshëm politikë si dhe disa komentues, përpiqen që të dezinformojnë". "Greqia beson në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe e mbështet me sinqeritet, por njëkohësisht Shqipëria në këtë proces, ftohet të plotësojë detyrime konkrete në favor të minoritetit grek", është shprehur deputeti socialist grek duke mos identifikuar se cilat janë këto detyrime. Në takimin e morën pjesë zv/ministri i Jashtëm grek, Kassimis, kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe kryetari i Omonia-s Vasil Bollano. Ky i fundit ka komentuar zhvillimet e rreth asaj që ai e etiketoi si goditje të qëllimshme të organizatës, që ai kryeson nga qarqe të caktuara shqiptare duke e stigmatizuar negativisht Omonia-n. Edhe Dule në këtë takim ka bërë avokatin e Bollanos, duke theksuar se u mundua të hidhet baltë ndaj tij dhe Omonia-s.