E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, në ceremoninë speciale bashkë me Presidentin Bush

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi kujtimin e martirëve dhe heronjve të Holokaustit, gjatë vizitës në Muzeun e ri të Jad Vashemit në Jeruzalem, në murin e të cilit janë gdhendur edhe emrat e gjithë shqiptarëve që kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenj. Presidenti Topi, që ndodhet prej dy ditësh në Jeruzalem, në kuadër të 60 vjetorit të krijimit të shtetit të Izraelit, shoqërohej gjatë vizitës në Memorialin e Jad Vashemit nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar, bëri të ditur zyra e shtypit pranë Presidentit. Presidenti i Republikës, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, mori pjesë në një ceremoni të veçantë përkujtimore dhe vendosi një kurorë në shenjë nderimi dhe respekti për martirët dhe heronjtë e Holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore, emrat dhe fotot e të cilëve janë ekspozuar në Sallën e Emrave, një strukturë e madhe konike e ndërtuar rishtazi. Disa nga kthinat e vogla u janë dedikuar partizanëve hebrenj si dhe njerëzve me kombësi të tjera, që rrezikuan jetët e tyre për të strehuar e mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këta heronj nderohen me titullin fisnik "Të drejtët mes kombeve". Presidenti Topi u ndal në murin ku janë gdhendur emrat e të gjithë shqiptarëve dhe familjeve të tyre që kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenj dhe la një shënim në Librin e Përshtypjeve të Muzeut të ri të Jad Vashemit. Kombi shqiptar njihet botërisht si një komb që i strehoi dhe mbrojti hebrenjtë gjatë Holokaustit, duke bërë që numri i hebrenjve në Shqipëri pas përfundimit të Luftës të ishte më i madh se sa ai para fillimit të kësaj tragjedie njerëzore. Presidenti Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar, gjatë ditës së dytë të vizitës në Izrael, kanë marrë pjesë në një sërë aktivitetesh kremtuese për 60-vjetorin e krijimit të shtetit izraelit dhe kanë vizituar disa pika dhe vende të rëndësishme historike. Presidenti Topi, së bashku me zonjën Topi, ishin të pranishëm në pritjen e dhënë nga Presidenti i Izraelit, Shimon Peres dhe më pas, në veprimtarinë e veçantë që kremtonte 60 vjet miqësi mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ku i ftuari i nderit ishte Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush. Kreu i shtetit ka vizituar fortesën e Masadës, simbolit shekullor të rezistencës dhe vetëflijimit për liri të kombit hebre si dhe Detin e Vdekur, një nga vendet më interesante natyrore të Izraelit, Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit, Kishën e kryqëzimit të Krishtit, Murin Perëndimor, i cili rrethonte dikur Tempullin e Shenjtë dhe lagjet e të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›