E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti i PD-së, dëshmitar në gjyqin e Aldo Bares

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Krimeve të Rënda thërret si dëshmitar deputetin Ilir Bano. Emri i ligjvënësit ka dalë gjatë dëshmisë së Pëllumb Meços, në procesin e “Bandës së Lushnjës”, i cili ka pohuar se Bano ka qenë i pranishëm në komisariatin Nr. 2 të Lushnjës në kohën që ky institucion ishte në dorë të Aldo Bares. Vendimi për thirrjen e deputetit të PD-së ka ardhur pas kërkesës së avokatit Vladimir Meçe për të administruar në fashikullin e gjykimit dhe dëshminë e tij. Togat e zeza kanë prerë fletëthirrjen dhe tashmë i mbetet në dorë deputetit për të vendosur nëse do të paraqitet në gjykatë ose jo.
Dëshmia
Në procesin ndaj Bandës së Lushnjës, avokatët mbrojtës kërkuan dëshminë e deputetit të Partisë Demokratike, Ilir Bano. Kërkesa e avokatëve erdhi pas dëshmisë së Pëllumb Meços, i cili është shprehur se në momentin kur disa nga anëtarët e bandës e kishin marrë me forcë duke e shoqëruar në të ashtuquajturin Komisariati nr.2 i Lushnjës, që ishte vendi kur mblidhej banda, ka parë aty edhe Ilir Banon. Burime nga gjykata bënë të ditur se kaq ka mjaftuar që një prej avokatëve mbrojtës, Vladimir Meçe, t i kërkojë trupit gjykues thirrjen e Banos si dëshmitar. Trupi gjykues e pranoi kërkesën e avokatit dhe tashmë pritet që deputetit Bano t i dërgohet fletëthirrja nga Gjykata e Krimeve të Rënda për t u paraqitur në gjykatë, thirrje e cila nuk dihet nëse do të respektohet nga deputeti.
Procesi
Banda e Lushnjës është ndarë në tri dosje të veçanta, ku njëra ka përfundur, një ndodhet në proces gjykimi dhe e treta u përket Aldo Bares dhe Enver Dondollakut. Zanafilla e bandës së ashtuquajtur "Banda e Lushnjës" nis aty nga viti 1997. Gjithçka nisi pas një sherri mes Aldo Bares dhe Artur Dajës, pas një bisede telefonike mes dy miqve. Grindja mes tyre nuk do të mbaronte vetëm me një mbyllje telefoni. Sipas Prokurorisë, Aldo Bare qëllon ndaj Artur Dajës, duke e plagosur, por vdes në vend të këtij të fundit, një shok i tyre, Genc Kashari. Por në këtë shkëmbim zjarri mes palëve ka mbetur i vrarë vëllai i Aldos, Ramadan Shkurti. Pikërisht në datën 2 korrik të vitit 1997, do të nisnin edhe një sërë vrasjesh zinxhir, numri i viktimave ende nuk është përcaktuar zyrtarisht. Pas një maratone të gjatë gjyqësore, aktualisht të akuzuarit e bandës së Aldo Bares, janë duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. "Banda e Lushnjës", e cila akuzohet për kryerjen e një sërë veprash penale, tashmë ka në gjirin e saj edhe një të penduar.

Aldo Bare
Akuzohet si “truri” i Bandës së Lushnjës . Emri i lindjes i Aldo Bares është Alfred Shkurti. Aldo Bare e ka ndryshuar identitetin e tij, pas një vendimi legal të Këshillit Bashkiak të Lushnjës, pas vitit 1997. Ai ishte një nga efektivët më të mirë të Repartit Special 326, i njohur si reparti më i mirë policor gjatë viteve 80. Pas ndryshimeve në vend, në vitin 1990, Bare largohet nga trupat speciale dhe emri i tij do të harrohej deri në verën e vitit 1997, kur vëllai i tij, Ramadan Shkurti, u vra barbarisht në qytetin e Lushnjës nga banda e Artur Dajës. Vrasësit nuk u mjaftuan vetëm me ekzekutimin e Shkurtit, por i dhunuan kufomën, madje, për orë të tëra, nuk lejuan familjarët e tij që të merrnin trupin e të vdekurit. Sipas policisë, ka qenë pikërisht kjo ngjarje e rëndë që ka nxjerrë në skenë emrin e Aldo Bares. Familja Shkurti kishte katër fëmijë, tre djem, njëri prej tyre i vrarë (Ramadani) dhe një vajzë. Bare u akuzua se ishte hakmarrë për vrasjen e të vëllait, duke krijuar të ashtuquajturën “Banda e Lushnjës”. Tashmë, një nga ish-bashkëpunëtorët e tij, Petrit Liçi, konsiderohet “bashkëpunëtor i drejtësisë”, ndërsa një tjetër i pandehur pritet të dëshmojë për krimet e dyshuara të kësaj bande.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›