E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i organeve, Italia hetime në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Prokuroria Italiane nis hetimet për trafik organesh të të miturve. Në listën e vendeve të dyshuara është renditur edhe Shqipëria. Trafiku i organeve të të miturve ekziston edhe në Itali. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, gjatë punimeve të asamblesë së përvitshme të UNICEF, të mbajtur në Romë. Qendra e Studimeve Sociale në Itali, “Censis”, ka bërë të ditur se Prokuroria e Romës ka hapur një hetim mbi një trafik të mundshëm të minorenëve nga Shqipëria drejt Italisë për të bërë transplante ilegale të organeve. Sipas kësaj qendre, një nga rastet më të fundit është hetimi në Shqipëri i doktor Adelki Ippolito, i Prokurorisë së Romës, për një trafik të mundshëm minorenësh.
Hetimet
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim mbi një trafik të mundshëm minorenësh nga Shqipëria drejt Italisë për të bërë transplantim ilegal të organeve. Lajmi është bërë i ditur nga Qendra e Studimeve Sociale “Censis”, e cila ka bërë publik një raport të vitit të kaluar mbi trafikun e qenieve njerëzore, me qëllim trafik organesh. Sipas qendrës “Censis”, në Itali janë hapur disa hetime nga gjykata për disa raste shitje minorenësh, që dyshohet se janë të lidhura me trafikun ilegal të organeve, por këto hetime nuk çuan në zbulimin e provave konkrete. Në një nga rastet më të fundit, që citohet nga kjo qendër, është hetimi që dr. Adelki Ippolito, i Prokurorisë së Romës ka hapur në Shqipëri. Hetimi ka të bëjë me dyshimet për një trafik të mundshëm minorenësh, që dyshohej se ishin transferuar ilegalisht në Greqi dhe në Itali jo vetëm si vende transit, por edhe si destinacione finale ku bëheshin transplantet. Mësohet se ky hetim është në një fazë të rëndësishme dhe hetuesit presin rezultate të rëndësishme.
Por është ndryshe, saktëson qendra italiane e Studimeve Sociale, rasti i tregtisë ilegale të organeve: “Ka prova të ndryshme të transplanteve të marra nga shtetasit italianë në vendet ku është bërë dhurimi i organeve”.
Rastet
Në pjesën më të madhe të rasteve italianët kanë shkuar në Indi për të marrë një organ, duke qenë se deri më 1994, në atë vend shitja e organeve ishte e ligjshme”. Për sa i përket rrjetit italian, kontrollet e parashikuara mund të ofrojnë garanci të mjaftueshme për të penguar futjen e një organi me origjinë të paligjshme në rrjetin ligjor të transplanteve të mjekësisë publike, por “situata mund të jetë ndryshe në rastin në të cilin pretendohet ekzistenca e një trafiku klandestin të zhvilluar në spitalet private, jozyrtarisht, në spitale të pajisura me aparatura të mira dhe që nuk dihet se ekzistojnë nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor Italian”.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›