Deputeti i ri sdo hyjë nga penxherja

Kryetarja e Kuvendit, Topalli
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka replikuar dje ashpër me kryesocialistin Edi Rama lidhur me akuzat për bllokimin e mandatit e ish-deputetes Rudina Seseri dhe zëvendësimit të saj me pasuesin në listë, Edison Konomi. Gjatë një konference për shtyp, kryetarja e Kuvendit deklaroi dje se mandati i lënë nga ish-deputetja Seseri do të jepet në rrugë kushtetuese, pasi pasuesi në listë, Gjon Bardhi, gëzon dy mandate. Topalli tha se nuk është Kuvendi pengesa për zëvendësimin e mandatit, por precedenti i krijuar, pasi as Këshilli i Mandateve, as KQZ-ja, nuk kanë tagër ligjor për dhënien e mandateve, ndaj zgjidhja, sipas saj, mbetet vetëm në rrugë gjyqësore. Në mënyrë ironike Topalli ka sqaruar se vendi i ish-deputetes Seseri nuk do të zihet nga maxhoranca, por nga pasuesit në listë, pasi të kapërcehet ngërçi ligjor. Ky burri që qan se po e rreh Jozefina, bën mirë tu shpjegojë shqiptarëve, dhe veçanërisht socialistëve, se përse ndodhemi në këtë situatë, nëse këtë zonjën Seseri e solli Jozefina në Parlament apo ai vetë. Më tej duhet tu shpjegojë nëse këtë zonjën që në tre vjet nuk ka ardhur as tri ditë në Parlament e pengoi Jozefina, e më tej, kur zonja zgjodhi të mos shpenzojë më asnjë ditë në Parlament dhe të japë dorëheqjen, e bëri këtë për shkak të Jozefinës? Aktualisht, Parlamenti, Këshilli i Rregullores, KQZ-ja, ndodhen përpara një situate që duhet sqaruar në modalitetet e saj, pra se si duhet të realizohet; dhe jo në thelb, pasi askush (përveç zotit Rama) nuk ka vënë në pikëpyetje faktin që në poltronin e zonjës Seseri në Parlament do të ulet një Seser tjetër, po ashtu socialist, theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit i ka quajtur si kontradiktore deklaratat e kryetarit të PS-së Rama dhe kreut të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Problemi është që Seser apo jo, zotëria që ka radhën për të hyrë në Kuvend duhet të hyjë me dinjitetin dhe respektin ndaj Kushtetutës dhe ligjit, mbi të cilën jemi betuar të gjithë ne. Nuk mund të hyjë as nga penxherja, as nga dera e pasme, e në asnjë mënyrë tjetër që mund të shpikë mosmarrëveshja mes zotit Rama dhe udhëheqësve socialistë në Kuvend, tha Topalli.
Dekretet
Kryeparlamentarja u është përgjigjur dhe akuzave së në sirtarin e saj në Kuvend po mbahen peng dekretet e Presidentit të Republikës për postet e anëtarëve të Gjykatës Kushtuese dhe asaj të Lartë. Përsa i përket Vandakut të mandateve për funksionet kushtetuese, atë zoti Rama duhet ta kërkojë në sirtarët Presidencës, aty ku e ka dërguar me vendim Kuvendi me votën e tij në seancë plenare, dhe jo Jozefina; por aty unë nuk e ndihmoj dot. Nëse kërkon, do të gjejë me siguri një votues të tij të devotshëm që do ta sqarojë. Deri tani, në fakt, zoti Rama ka kërkuar, si gjithnjë, një gjethe fiku. Gjethe fiku o në kuti, o në çadër, o në sirtar. Problemi është se edhe po e gjeti, ajo nuk e mbulon, veçse të turpëron, theksoi Topalli.
Xhaçka: Topalli përgojon jo vetëm burrat, por dhe gratë
Partia Socialiste ka shprehur keqardhje për deklaratat e kryetares së Kuvendit në adresë të liderit të opozitës, lidhur me mandatin e ngrirë të opozitës në Kuvend. Deputetja Olta Xhaçka theksoi se kryetarja e Kuvendit shpërdoroi foltoren e Parlamentit duke hedhur akuza ndaj liderit të PS-së, Edi Rama, Presidentit të Republikës dhe deputetes së dorëhequr, Rudina Seseri. Jozefina Topalli sapo dha një tjetër shembull të keq të shpërdorimit të rolit kushtetues të kryetares së Kuvendit, duke u rishfaqur në rolin çedukues të një gruaje që politikën e përdor për të përgojuar jo vetëm burrat, por edhe gratë. Është i turpshëm komenti i saj për zonjën Seseri, të turpshme edhe komentet për kryetarin e opozitës dhe për vetë Presidentin e Republikës. Zonja Jozefinë! Mos e turpëroni më tutje Kuvendin e Shqipërisë. Mos e turpëroni më tutje figurën kushtetuese që gabimisht ju ka rënë radha të përfaqësoni. Mos e turpëroni më tutje edhe rolin e gruas në politikë. Dhe më lejoni tju ndihmoj me një shprehje të urtë: Mjerë ai që nuk di të flasë dhe që sështë aq i mençur sa të heshtë, deklaroi deputetja Olta Xhaçka.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë ditë më parë akuzat e opozitës se maxhoranca po mban peng mandatin e deputetit të 140-të të Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit. Zoti Rama ka një grup njerëzish me të cilët fabrikon mashtrimin, e servir, dhe ata kanë kënaqësi që mashtrohen. Tani kërkojnë të bëjnë gjykatës Komisionin e Rregullores, i cili nuk ka asnjë tagër tjetër përveçse për tiu drejtuar Parlamentit me mendimin e tij. Ky komision nuk ka atribute gjykate, por ata kërkojnë të bëjnë kryegjyqtarë kryetaren e Parlamentit vetëm për akuza politike, u shpreh Berisha.
FATION BINJAKU
