Rama: Mandati i PS, peng në sirtarin e Jozefinës

Kreu i PS, Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, po cenojnë sovranitetin e popullit duke mbajtur peng mandatin që i takon PS-së në Kuvend. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Rama replikoi në distancë me Kryeministrin Berisha, cili një ditë më parë tha se opozita duhet ta fitojë mandatin duke u ankimuar në rrugë gjyqësore. Por, për shefin e opozitës një deklaratë e tillë nuk ka sens, pasi sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet tia kalojë mandatin pasuesit në listën zgjedhore, Edison Konomit. Nuk ka asnjë lidhje në këtë rast Partia Socialiste apo opozita kuvendore me gjykatën. Ashtu siç nuk ka asnjë lidhje mandati i mbajtur peng me ndonjë proces që përfshin gjykatat. KQZ-ja ka dhënë një mandat, pasi është dhënë një dorëheqje. Personit të cilit i është dhënë ky mandat e ka refuzuar mandatin sepse është ndërkohë kryetar i Bashkisë dhe ka vendosur që të vazhdojë të bëjë punën si kryetar Bashkie. Dhe i takon Kuvendit ta njoftojë KQZ-në për këtë refuzim e ti kërkojë që të vazhdojë me listën e deputetëve për deputetin e radhës, i cili duhet të mandatohet dhe pastaj të ulet në vendin e mbetur bosh, deklaroi kryesocialisti. Rama e ka quajtur thirrjen për të kërkuar mandatin në rrugë gjyqësore si një degradim të marrëdhënieve të vetë pushtetit me gjithë procesin demokratik. Kreu i selisë rozë theksoi se Kuvendi po mban peng disa mandate të institucioneve kushtetuese, siç janë dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Mandati i deputetit të opozitës që mbahet peng në sirtarin e Jozefinës është i disati në radhën e një sërë mandatesh kushtetuese që mbahen në atë sirtar në shkelje të plotë të Kushtetutës, të ligjit dhe të detyrimeve që ka Kuvendi në raport me Kushtetutën dhe me ligjin. Mbahen peng mandate të Gjykatës Kushtetuese, mbahen peng mandate të Gjykatës së Lartë, ashtu siç, nga ana tjetër, mbahet peng procesi i ripërtëritjes së mandatave për anëtarët e Bordit të Televizionit Publik Shqiptar dhe të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve, që sot drejtohen nga persona pa mandat dhe paguhen nga taksapaguesit jashtë mandatit të tyre ligjor. Pra, mbajtja peng e këtij mandati është pjesë e procesit të degradimit të marrëdhënieve të Kuvendit me demokracinë, me Kushtetutën dhe me ligjin, tha Rama.