E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithçka gati për regjistrim

Nga Express më 18 mars 2011 në ora 11:02

Republika e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave më 1 prill, proces ky i cili do të përfundojë me sukses, ka thënë ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar.

Ai këto komente i bëri të enjten me rastin e vizitës në Qendrën e paketimit dhe shpërndarjes së materialit zgjedhor, me ç’rast ka parë për së afërmi procedurat që po zhvillohen për paketimin e materialit regjistrues. Ministri Jagcilar ka thënë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet e domosdoshme, në mënyrë që procesi i regjistrimit, i cili do të fillojë më 1 prill të përfundojë me sukses.

“Unë besoj që më 1 prill Republika e Kosovës do të jetë e gatshme për regjistrimin e popullsisë dhe do të ketë një regjistrim i pritur shumë vjet dhe do të jetë një proces i suksesshëm për të gjithë”, ka thënë ai.

Shefi i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani, ka shpjeguar procedurat e regjistrimit. Ai ka thënë se regjistruesit e trajnuar do të shkojnë te qytetarët për të bërë regjistrimin e tyre dhe në kutitë e regjistrimit do të jenë materialet regjistruese si pyetësorët, hartat dhe udhëzuesit e nevojshëm për procedurat dhe rregullat e regjistrimit.

Ai shtoi se të dhënat e këtij procesi të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare, si dhe banesave do të mundësojnë krahasimin e të dhënave me shtetet e tjera. Ndryshe, regjistrimi i fundit në Kosovë është bërë para tri dekadash.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›