Kërcënon Pacolli
Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se ai do të jetë i pari që do të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve Prishtinë-Beograd, nëse do të kërkohet të jenë temë kufijtë e Kosovës apo ndarja e saj. “S’do të ketë ndarje të Kosovës”, ka thënë Pacolli i cili ka folur edhe për nevojën e ndryshimit të ligjit që e bëri president.
“Ndarja e Kosovës nuk është opsion, ne do të bisedojmë me palën tjetër deri atëherë kur të jemi të respektuar prej tyre, deri në atë moment do të respektojmë dhe palën tjetër. Por, në momentin që mungon respekti ndaj palës tonë, atëherë unë do të promovoj idenë që këto bisedime menjëherë të ndërpriten”, ka deklaruar presidenti Pacolli për televizionin “Albanian Screen”.
Raundi i dytë i bisedimeve në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet më 24 e 25 mars.
Kështu ka deklaruar ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, i cili ka thënë në takimin e radhës mes palëve do të ketë kompromise dhe rezultate konkrete.
“Jemi të gatshëm të arrijmë deri te kompromisi, sepse është mënyra e vetme që të zgjidhen problemet e përditshmërisë me të cilat ballafaqohen serbët dhe shqiptarët”, ka thënë Bogdanovic për televizionin publik serb RTS.
Bogdanovic ka vlerësuar se për Beogradin është i papranueshëm propozimi për autonomi të serbëve në veri të Kosovës në shkëmbim për njohjen e Kosovës nga Serbia.
Ai ka deklaruar se takimi i parë në Bruksel ka ngjallë optimizëm te të gjitha palët - përfaqësuesit e Prishtinës, Beogradit dhe BE-së. Por, Bogdanovic ka ripërsëritur se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet i pavarur.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe kryesuesja e delegacionit të Kosovës ka deklaruar të enjten se në dialogun e filluar teknik do të adresohen vetëm çështje praktike dhe në asnjë formë nuk do të diskutohet çështja e pavarësisë së Kosovës, sovranitetit, integritetit territorial dhe rregullimit të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës.
Ajo ka shtuar se ky dialog ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, rregullimin e raporteve fqinjësore në Ballkan dhe avancimin e agjendës evropiane për Republikën e Kosovës.
Këto komente Tahiri i ka bërë pas takimit me ambasadorin austriak, Johan Brieger, i cili e ka uruar atë për emërimin e saj në postin e zëvendëskryeministres për politikë të jashtme dhe siguri nacionale si dhe për detyrën e saj si udhëheqëse e dialogut teknik të Republikës së Kosovës me Serbinë.
Brieger ka thënë se Austria e përkrah dialogun teknik të filluar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe shtoi se Austria përkrah agjendën e Republikës së Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe qartësimin e përfitimeve të Kosovës nga dialogu teknik, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të kryeministrisë.
Rreth këtyre zhvillimeve ka komentuar edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Pushtetit Lokal Slobodan Petrovic i cili ka qëndruar të enjten në veri.
”Mendoj se të gjithë banorët e Kosovës duhet të kenë status special dhe të ardhme më të mirë, kjo është për të gjithë pa dallim. Në këtë drejtim nuk kam dilemë se edhe kjo pjesë e Kosovës duhet të ketë alternativë për jetë më të mirë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim”, ka thënë Petrovic pasi është pyetur nëse pjesa veriore duhet të ketë status special.