Rasti Bllaca, vazhdon gjykimi
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë të enjten ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve të “rastit Bllaca”, Fahredin Gashi – Faruku dhe Hysri Rama, me ç’rast para trupit gjykues kanë paraqitur dëshminë e tyre vajza e Salihut, Hyrije Gashi dhe djali Afrim Gashi.
Momentin e vrasjes së babait të tij Sali Gashi, Afrimi e ka përshkruar si një vepër të kryer brenda një minute. Ai ka thënë se personat e maskuar në momentin e hapjes së derës kanë goditur gruan e tij dhe më pas kanë hyrë në dhomën ku i ati ishe duke fjetur, duke e vrarë atë me disa të shtëna automatike.
“Kanë qenë 5-6 krisma, por nuk e di a kanë qenë të shtëna të ndara apo të njëpasnjëshme, vetëm se vrasja është kryer shpejt”, ka thënë Gashi. Më tej ai ka theksuar se babai i tij kishte raporte të mira me shqiptarët, ndërkohë që me serbët nuk kishte pasur lidhje të tjera përpos mirësjelljes. Gashi ka pohuar se pas kësaj nate, rasti kishte mbetur i heshtur deri në momentin kur kishte filluar të pranonte thirrje anonime nga një person, të cilin më vonë e identifikoi si Nazim Bllaca.
Sipas tij, në vitin 2007 ai kishte pranuar një thirrje në të cilën i ishte thënë se një letër e vendosur në katin e tretë të shtëpisë së tij në Lipjan, shtëpi e pabanuar deri në atë kohë, përmbante të dhëna të cilat do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të babait të tij. “Afrim, merre këtë letër dhe lexoje me vëmendje, se në këtë letër shkruan se babën nuk ta ka vrarë UÇK-ja, por ta ka vrarë Faruk Gashi. Baba yt nuk ka qenë spiun as tradhtar dhe nuk e di për çka e ka hjek Faruku babën tand”, është shprehur Gashi.
Ai ka theksuar se pos kësaj letre, ai kishte pranuar edhe thirrje dhe mesazhe të tjera nga Nazim Bllaca, të cilat e kishin shtyrë atë që të paraqiste rastin te policia e EULEX-it, pasi që ky i fundit nuk besonte në zbardhjen e rastit nga Policia e Kosovës.