E Diel, 1 Nëntor 2026

I vihet zjarri veturës së një shqiptari në veri

Nga Express më 18 mars 2011 në ora 12:00

Një automjet privat, i tipit “BMW -X6”, me targa vendore “RKS” të regjistrimit, i është vënë zjarri me benzinë, në veri të Mitrovicës.

Rasti ka ndodhur rreth 30 minuta pas mesnatës të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Mbreti Petër” në Mitrovicë, ka njoftuar Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.

“Njësitë policore të cilat kanë reaguar në vend ngjarje kanë konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjetit me ndihmë të substancës ndezëse, që besohet të jetë benzinë. Hetuesit policorë besojnë se personat e paidentifikuar, kanë hedhur një përzierje ndezëse brenda automjetit të parkuar në rrugë pranë një kafeterie ‘Dama’ në veri të Mitrovicës”.

Zjarri është shuar pas intervenimit të zjarrfikësve, me ndihmën e aparateve për fikje të zjarrit..

Dëme të mëdha materiale i janë shkaktuar automjetit të djegur, i cili konsiderohet të jetë djegur tërësisht, ndërsa dëme materiale sipërfaqësore janë shkaktuar edhe në një automjet tjetër të tipit “Golf 2” me targa “KM”, i cili ishte i parkuar afër.

Nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.

Policia ende nuk kanë specifikuar pronarin e automjetit “BMW” mirëpo është konstatuar se i përket një qytetari të përkatësisë etnike shqiptare.

Policia e Kosovës ka regjistruar rastin si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ndërsa motivi dhe autorët e këtij akti kriminal mbeten të panjohur deri në këtë moment.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›