Korça e meriton të jetë qendër olimpike shqiptare
ë kulmin e nxehtësisë afrikane të stinës, kur të gjithë pushojnë në plazhe e qendra pushimi, jeta në Korçe “pulson” më fort se kurrë. Biznesi korçar, deputeti i zonës Ridvan Bode, Federata Shqiptare e Futbollit me në krye Armando Duken, pushteti vendor, presidenti i skuadrës së futbollit Agim Zeqo po i kthejnë qytetit stadiumin sportiv me një konstruksion më modern dhe më bashkëkohor. I shushatur nga sipërmarrja e punimeve, m’u duk vetja si në një kantier hidrocentrali. Me dhjetëra ekskavatorë, me dhjetëra makina gërmonin dhe shkarkonin në stadiumin e qytetit të Korçës. Përveç tapetit të barit dhe ndriçimit të tribunës, stadiumi i Korçës do të ketë edhe pistën e atletikës olimpike me tartan me 8 korsi dhe të certifikuar dhe nga IAAF. Kjo pistë, e cila është e vetmja pistë e përmasave olimpike në Shqipëri, përmbush parametrat teknikë për të qenë në këtë mënyrë gati për të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, të të gjitha niveleve.
ëndrra e Piro Kasatit, Pavlina Evros, Alma Qeramixhiut, Alma Thanos, Tomi Stefallarit dhe Kastriot Sulçes, më në fund po bëhet realitet. Dëshira e kampionëve të dikurshëm që po shndërrohet në një të vërtetë historike për sportin në qytetin e vlerave të kulturës, është një ngjarje e madhe, e cila me përkushtimin e përgjegjshmërinë e plotë të biznesit në këtë sipërmarrje ndaj sportit, ka marrë në sytë e qytetarëve të vetë e të mbarë Shqipërisë dimensione olimpike. Dhe e tillë përjetohet dhe nga vetë banorët që përcjellin punimet me një pjesëmarrje, asistencë dhe një mbështetje të tillë që krijon emocionet dhe ndjesinë e kryerjes së një kampionati kombëtar. I gjithë stadiumi është kthyer në një kantier të madh ndërtimi, ku punohet natë e ditë dhe me ndihmën e vetë qytetarisë korçare, e cila e zhvendosur në shkallët e stadiumit merr shprehjen e tifozërisë. Kjo e fundit, në një mënyrë spektakolare e bindëse, stimulon biznesin të ndërmarrë iniciativa të tilla e të prekshme për sportin.
Por kush është promotori i këtij ndryshimi? Biznesmeni Agim Zeqo, i cili padyshim vjen nga fusha e sportit, Gimi Bjondi, gjimnasti i Korçës në vitet ’80. Sot të gjithë e njohin Gimi i Redbullit. Nga Tirana rikthehet në Korçën e tij. Duke arritur sukses në biznes tani kërkon të konfirmojë të njëjtin sukses edhe në sport, por jo duke garuar vetë, por duke menaxhuar futbollin korçar. Por për të arritur sukses si në biznes duhet të ndryshonin gjërat edhe në infrastrukturën e sportit. Skuadrës së futbollit i duhet përveç fushës, edhe pista me tartan. Kur dëshira mendja dhe vullneti bashkohen, produkti vjen shumë shpejt. Nuk do të ishte një apel ky dhe për qytete të tjera si Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora me një traditë të shkëlqyer sportive, ku biznesi në bashkëpunim me pushtetin vendor e donatorë të tjerë të ndërmarrin hapa për të rikthyer në produktive e efektive ambientet e pistat sportive për të sensibilizuar një opinion masiv për pjesëmarrje në sport, për të rritur ndjenjën e dëshirën e aktivitetit sportiv në brezat e rinj? A nuk do të ishte kjo përgjigjja më e mirë ndaj antivlerave të tilla si droga e parazitizmi, alkooli e depresioni, mungesa e perspektivës etj.
Sot Shqipëria e meritoi të marrë lidershipin e kryerjes së veprimtarive të tilla madhore si Kampionati Botëror i Vrapimit në Mal: arritëm të krijojmë besimin e madh te ndërkombëtarët në sport për të na besuar aktivitete të tilla. Por ç’do të thotë për ne të krijojmë bindjen dhe krijimin e garancive të tilla të mbulimit dhe të anës teknike kur ne të sillemi si profesionistë, të bëjmë sport si profesionistë, të krijojmë kushte teknike dhe sportive nëpër pista e stadiume si të mëdhenjtë e sportit. Ndaj është e tillë, e madhe kjo ngjarje për sportin, sepse një nivel i lartë fillon që në fushë. Të emocionohesh nga diçka e bukur është normale, por të mrekullohesh për ndryshimin që po merr sporti dhe ambientet sportive në rrethin e Korçës është prekëse, një dëshirë e papërmbushur dhe e mbetur peng e brezave me radhë. Ky sukses, kjo sipërmarrje është vetëm fillimi.