Derbi i Evropës

Ekipi më i titulluar në botë, Milan dhe skuadra më e fortë në rruzull për momentin, Barcelona, do të përballen në mes vete sonte në San Siro, në kërkim të pozitës së parë të Grupit H në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja e parë në mes të këtyre dy skuadrave, e zhvilluar në Camp Nou, përfundoi baras, 2:2. Të dyja ekipet e kanë siguruar kualifikimin në të tetën e finales, por ato janë në kërkim të primatit, i cili do t’u mundësonte një komoditeti më të madh në fazën tjetër.
Katalunasve do t’u konvenonte edhe barazimi për ta ruajtur pozitën e parë, ndërsa Rossonerët imperativ kryesor e kanë fitoren për ta marrë kreun.
“T’i përjetosh këto net është ëndërr e çdokujt. Barcelona është skuadra më e fortë në botë, por do të mundohemi të fitojmë duke luajtur mirë dhe duke i shfrytëzuar si është më së miri mundësitë që na vijnë, pasi që edhe në Barcelonë në 20 minutat e parë i kishim disa”, deklaroi trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, i cili nuk pritet të ketë ndonjë mungesë të theksuar.
Në anën tjetër, Barcelonës do t’i mungojë lojtari i rëndësishëm Andres Iniesta, për shkak të lëndimit. Mirëpo, trajneri Pep Guardiola ka opsione tjera dhe nuk brengoset shumë për këtë fakt.
“Është gjithmonë kënaqësi kur luan ndaj Milanit. Do të luajmë me skuadrën më të titulluar në botë. Mirëpo, do të mundohemi të nxjerrim rezultat pozitiv në San Siro”, ka thënë trajneri spanjoll.
Në Grupin E, Chelsea do të shkojë përpara, nëse fiton në Gjermani, ndërsa edhe Leverkuseni do ta bënte të njëjtën gjë, nëse fiton dhe nëse Valencia dështon ta mposhtë Genkun. Kryesuesit e grupit, Chelsea e Leverkusen, në shtëpi janë treguar mjaft të fortë, por si mysafirë kanë qenë të pasigurt.
Në Grupin F, Arsenali dhe Marseille janë në pole-position, ndërsa Dortmundi do të shpresonte për një kualifikim të mundshëm vetëm nëse nxjerr rezultat pozitiv në Angli ndaj Arsenalit. Fitorja eventuale e Marseilles ndaj Olympiakosit do ta dërgonte përpara ekipin francez.
Ndeshja ndërmjet Zenitit dhe APOEL-it në Grupin G do të jetë për jetë a vdekje. Rusët gjenden në pozitën e dytë dhe në rast fitoreje, 90 për qind do ta siguronin kualifikimin. Kurse Portos i nevojitet fitorja ndaj Shakhtar Donetskut, për të shpresuar ende në kualifikim.
Liga e Kampionëve
E mërkurë
Group E
Bayer Leverkusen – Chelsea 20:45
Valencia – Genk 20:45
Group F
Marseille – Olympiacos 20:45
Arsenal – Borussia Dortmund 20:45
Group G
Zenit St Petersburg – APOEL 18:00
Shakhtar Donetsk – Porto 20:45
Group H
BATE Borisov – Viktoria P. 20:45
Milan – Barcelona 20:45