E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duan të dimërojnë në krye

Xhiroja e 17’të e Superligës do ta përcaktojë si kampion vjeshtor Prishtinën ose Dritën. Kryeqytetasit janë optimistë se me sukses do ta tejkalojnë sfidën si mysafirë të Gjilanit, për të dimëruar si liderë. Ndërsa Drita, e cila synon fitore ndaj Lepencit, shpreson që rivali i saj, Gjilani t’i ndalë bardhekaltrit, për ta rrëmbyer vetë vendin e parë.

Në këtë mesjavë do të zhvillohet xhiroja e shtatëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, respektivisht ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor, ku edhe do të përcaktohet se cilit ekip do t’i takojë epiteti i kampionit vjeshtor – Prishtinës apo Dritës.

Aktualisht Prishtina është në vendin e parë të renditjes tabelore me 33 pikë, vetëm një më shumë sesa Drita. Kështu që të dyja këto skuadra janë në luftë të rreptë për të dimëruar të qetë si liderë.

Mirëpo, gjithçka do të përcaktohet të mërkurën, kur prishtinasit e gjilanasit i presin udhëtime shumë të vështira. Kryeqytetasit do të jenë mysafirë të Gjilanit, derisa udhëtim mjaftë i vështirë e pret edhe Dritën, e cila në Kaçanik do të sfidohet nga Lepenci i papërshtatshëm.

Sido që të jetë, Ramiz Krasniqi është optimist se skuadra e tij me sukses do ta kalojë sfidën e radhës, Gjilanin. Ai beson se djelmoshat e tij do ta japin maksimumin në Anamoravë për ta ruajtur pozitën e parë në renditjen tabelore.

“Sigurisht se na pret një duel shumë i vështirë. Megjithatë, ne do të udhëtojmë në Gjilan për ta nxjerrë një rezultat sa më pozitiv, për të mbetur aty ku jemi aktualisht. Për këtë edhe lojtarët tanë janë shumë të motivuar. Ata janë të vetëdijshëm se duhet ta japin atomin e fundit në fushë për ta arritur objektivin. Mendoj se edhe Gjilani do të luajë fort. Por, shpresoj që të na ofrohen kushte nga vendasit për të luajtur futboll, ashtu sikurse ne që u kemi ofruar në ndeshjen e parë, kur Gjilani pat fituar një pikë në Prishtinë”, ka deklaruar Krasniqi për Express.

Në anën tjetër, Drita kësaj radhe varet shumë prej rivalit të përbetuar lokal të saj, Gjilanit. Skuadra e Bekim Isufit shpreson që Gjilani do ta ndalë Prishtinën, derisa vetë ta mposhtë Lepencin për ta rrëmbyer pozitën e parë në renditjen tabelore.

“Se a do të dimërojmë si lider apo jo, varet shumë nga fati. Por, ne duhet t’i paraprijmë fatit, sepse në Kaçanik duhet të luftojmë për maksimumin e pikëve, edhe pse përballë do ta kemi një skuadër interesante që meriton respekt, Lepencin. Normalisht shpresojmë edhe në një gabim të Prishtinës në duel me Gjilanin. Gjilani fillimisht duhet të luftojë për veti, e kjo do të na shkonte përshtati edhe ne. Megjithatë, edhe nëse mbesim në pozitën e dytë, jemi të kënaqur dhe i falënderoj lojtarët e kryesinë për kontributin”, ka deklaruar Isufi, i cili është njëri prej më meritorëve për shkëlqimin e Dritës në këtë stinor.

Superliga – Xhiroja e 17-të

E mërkurë

Besa – Liria 13:00

Trepça – Drenica 13:00

Lepenci – Drita 13:00

Hysi – Vëllaznimi 13:00

Gjilani – Prishtina 13:00

E enjte

KEK-u - Trepça ’89 13:15

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›