Kontestohet Xhemajli

Eksperienca e Blerim Xhemajlit në Napoli nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Mesfushori shqiptar nuk ka qenë pjesë e rregullt e ekipit napolitan gjatë këtij sezoni, duke e nisur ndeshjen shpesh nga bankina.
Por, atëherë kur iu dha rasti për të luajtur nga minuta e parë, duket se nuk i kënaqi shikuesit me paraqitje. Rasti i fundit ishte ndeshja me Lazion, ku përfaqësuesi zviceran u vërshëllye dhe u kontestua nga tifozët e klubit Azzurr.
“Kërkoj nga tifozët një favor: mos i vërshëlleni ose kontestoni disa lojtarë, kur gabojnë në ndonjë pasim. Ju preferoj që të prisni 95 minuta për të kritikuar më pas”, ka thënë trajneri Walter Mazzarri, i cili nuk deshi të përmendte emra, por që iu referua posaçërisht futbollistit më të diskutuar të këtij momenti, Blerim Xhemajli.
Ish futbollisti i Boltonit, i Torinos dhe i Parmës ka luajtur në mesfushë përkrah Gokhan Inlerit, por shfaqi një ndeshje modeste. E vetmja shenjë që la ishte një goditje e bukur nga gjuajtja e lirë, që përfundoi pak mbi portë. Por, kjo nuk i mjaftoi që t’i evitonte vërshëllimat dhe ‘murmurimat’ në stadium, veçanërisht nga tifozeria besnike e klubit.
Ishin apo jo korrekte vërshëllimat për Xhemajlin gjatë ndeshjes, duhet thënë se deri sot 8,5 milionë eurot e harxhuara për Blerimin nuk duken investim fitues, shkruan ueb faqja italiane calciomecato.com.
Djaloshi nuk duket rehat në rolin që po i besohet në thellësi të mesfushës, me të cilin nuk kishte bindur as në Parma sezonin që shkoi. Kur është vendosur më në krah ose si mesfushor përpara, ka qenë më i ngadalshëm, duke bërë gabime serike.
Trajneri Mazzarri duket se i ka rënë pishman që e ka lënë të largohet Pazienzan dhe që ka llogaritur shumë në Donadel, në të cilin nuk po mund të llogaritë. Por, mediat italiane paralajmërojnë përforcime në mesfushë te Napoli gjatë dimrit.