E Hënë, 2 Nëntor 2026

Derbi i Romës, fiton frika

16/05/2005  Ka qenë me të vërtetë një nga derbit më zhgënjyes të viteve të fundit, ai i djeshmi mes Romës e Lacios, që është mbyllur 0: 0, jo vetëm në rezultat, por në gjithçka. Do të duhej një sforcim i jashtëzakonshëm për të shkruar shumë gjatë për atë që ka ndodhur dje pasdite në stadiumin “Olimpiko”, sepse gjithçka ka qenë një shfaqje e varfër, pa asnjë emocion dhe asnjë rrezik për portat kundërshtare. Fillimi ka qenë i vrullshëm, sepse pas disa sekondash braziliani Mansini i shkon shumë afër golit, por vetëm kaq. Është e para dhe e vetmja shkëndijë e një barazimi të paralajmëruar, që ka zhgënjyer pa masë edhe 60 mijë tifozët e pranishëm, të cilët në fund të ndeshjes janë treguar shumë të qartë, duke lëshuar në kor britmën “palaço, palaço” në drejtim të idhujve të tyre. Ka përfunduar pa gola, ndërkohë që dy skuadrat vazhdojnë të rrëshqasin drejt fundit të renditjes, sepse fitoret e Breshias e Kievos kanë bërë “rrëmujë” fundin e renditjes dhe kanë futur akoma më shumë në telashe sidomos Romën. Pas një jave, verdhekuqtë do të udhëtojnë drejt Bergamos dhe frika sa vjen e rritet, sepse edhe gjendja e skuadrës është shumë e keqe. Edhe Lacio nuk është se buzëqesh, sepse pas një jave vjen Fiorentina, në kërkim të dëshpëruar pikësh. Në fund të ndeshjes, ka folur vetëm trajneri verdhekuq Bruno Konti, i cili është treguar i ndershëm: “Ishte një ndeshje shumë e shëmtuar, ku me sa duket fitoi frika dhe lodhja. Barazim me marrëveshje? As që më shkon në mendje, por skuadrat thjesht kishin shumë frikë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›