E Hënë, 2 Nëntor 2026

Derbi i Romës, frikë nga dhuna

14/05/2005  Në prag të derbit të kryeqytetit mes Romës e Lacios, në program nesër pasdite, prefekti i qytetit Akile Serra lëshon një apel për të parandaluar dhunën: “I drejtohem pjesës më të dhunshme të tifozerisë dhe u them që të evitojnë çdo episod dhune ose banderolë provokuese që mund të çojnë në pezullimin e ndeshjes, ose që mund të bëjnë që takimi mos të fillojë fare”. Në fakt, derbi i Romës dihet që nuk është një ndeshje normale, gjë që e kanë treguar edhe dy derbit e fundit: njëri i pezulluar sepse ashtu dëshironin tifozeritë, pas lajmit fals se kishte vdekur një fëmijë, ndërsa derbi tjetër ngjalli shumë polemika për përshëndetjen fashiste të Paolo Di Kanios në fund të ndeshjes. Për këtë arsye, prefekti Serra lëshon një ftesë për tifozët, por edhe për lojtarët e dy skuadrave: “Shpresoj që të mos përsëriten episodet e ndeshjes së fazës së parë, sepse përndryshe do të pezullohet gjithçka. Uroj që të mos ketë sjellje që mund të provokojnë dhunë dhe këtu pëfshij edhe lojtarët, të cilët duhet të japin shembullin e tyre për korrektësi. Të gjithë duhet të mbajnë në mendje se nëse takimi do të pezullohet, të dy skuadrat do të humbasin 0 : 3 në tavolinë, që do të përkeqësonte akoma më shumë situatën e dy skuadrave në renditje”. Megjithatë, atmosfera në prag të këtij derbi është shumë e nxehtë, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve. Rreth 4 mijë tifozë lacialë janë paraqitur në qendrën stërvitore të skuadrës dhe nuk kanë humbur rastin të tregojnë edhe ndonjë bluzë anti - Romë: “Do t’iu dërgojmë në B” ishte slogani më i pranishëm. Ndërkaq, qetësi absolute në qendrën stërvitore të Romës, ku ishin vetëm 20 tifozë në kërkim të ndonjë autografi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›