E Hënë, 2 Nëntor 2026

“ZONJA” NE DILEME: KASANON APO XHILARDINON?

14/05/2005  Drejtuesit e Juventusit janë përballë një dileme hamletiane: cilin lojtar të zgjedhin për sezonin e ardhshëm, Kasanon apo Xhilardinon? Deri tani, vetën një gjë është e sigurtë, që për shkak të bilanceve të klubit, duhet të shitet ndonjë nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës për të gjetur lekët e nevojshme për të blerë njërin prej dy talenteve të sipërpërmendur. Emri i parë në listën e shitjeve është ai i David Trezegesë, por problemi qëndron te ngurrimi i Fabio Kapelos. Nuk ka asnjë dyshim që trajneri bardhezi i vlerëson shumë si Antonio Kasanon ashtu edhe Alberto Xhilardinon, por dihet edhe simpatia që ai ka për sulmuesin francez, i cili është treguar vendimtar në sfidën e madhe ndaj Milanit. E vetmja arsye e vërtetë për të shitur Trezegenë qëndron te delikatesa e tij fizike, që ka bërë që të mungojë në shumë ndeshje gjatë dy sezoneve të fundit. Pikërisht për këtë arsye, Luçiano Moxhi po shqyrton ofertat e ardhura nga jashtë Italisë. Kohët e fundit është afruar Lioni me një çek prej 25 milionë eurosh, shifër shumë interesante, duke pasur parasysh që çmimi i Kasanos dhe Xhilardinos vërtitet rreth 30 milionë eurove. Pra, blerja e njërit prej këtyre dy talenteve do të financohej nga lekët që do të vinin për Trezegenë, plus shitjen e njërit prej Zalajetës dhe Nondasë, që sapo është blerë me kosto zero nga Monakoja. Problemi është që në Lion, Trezegeja do të duhej të pranonte një rrogë rreth një milionë euro më të ulët se ajo aktuale dhe duket e vështirë që ai të pranojë, duke pasur parasysh polemikat e para disa muajve rreth rinovimit të tij, por edhe emrit jo të madh që ka Lioni. Si alternativë është Arsenali, ku Trezegeja ka deklaruar se do të luante me gjithë qejf në krah të Henrisë dhe ku do të përfitonte një kontratë më të pasur. Tani Juventusi duhet të zgjedhë: “miqësia” e merkatos me Milanin do të çonte drejt Kasanos, pasi përveç çmimit të lartë të Xhilardinos, nuk u duhet prishur punë kuqezinjve. Problemi është se Kasano është më i ngjashëm në lojë me Del Pieron, ndërsa zëvendësi ideal i Trezegesë do të ishte Xhilardino, që përveç të tjerave do të kërkonte një kontratë më pak të kushtueshme se Kasano. Nuk përjashtohet as shitja e Del Pieros, por problemi është se asnjë skuadër e madhe nuk e dëshiron, ndaj ka pak mundësi që kapiteni të ndërrojë skuadër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›