Mançini: Një hap drejt finales
14/05/2005 Trajneri zikaltër, Roberto Mançini, shprehet shumë i kënaqur për barazimin 1 : 1 arritur në Kaljari, për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë: “U paraqitëm mirë, kundër një skuadre që ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer dhe kërkon të arrijë në finale të Kupës. Skuadra luajti për fitore, por jam i kënaqur edhe me këtë barazim, sepse na afron më shumë me finalen”. Megjithatë, Mançini e e di mirë se Kupa e Italisë duhet fituar me çdo kusht, ndaj paralajmëron skuadrën: “Së pari, duhet të shkojmë në finale, pastaj të bëjmë llogaritë. Nëse luajmë edhe në kthim ashtu si të enjten, kemi mundësi të mira, por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse nuk ka mbaruar ende”. Ndryshe nga Mançini mendojnë lojtarët e tij, që tregohen euforikë dhe mendojnë që tani për finalen. Autori i golit të barazimit, nigeriani Martins, thotë: “Jam shumë i kënaqur, sepse kam shënuar një gol që vlen shumë, sepse është shënuar jashtë fushe. Duam ta arrijmë me çdo kusht finalen dhe dëshiroj të shënoj sa më shumë gola, për të përmirësuar nukmrin e golave në një sezon”. Ndërsa kapiten Zaneti, i cili ka festuar shifrën e 450 ndeshjeve me fanelën e Interit, e konsideron barazimin si një fitore: “Nuk rrezikuam asgjë dhe ata shënuan vetëm me një kundërsulm. Shënuam një gol jashtë fushe, që na jep një avantazh të madh për kthimin, ndaj jam shumë optimist”.