E Hënë, 2 Nëntor 2026

Derbi i Romës nën akuzë

17/05/2005  Pas barazimit të shëmtuar të së dielës mes Romës e Lacios, tifozët e irrituar kanë kërkuar kthimin e parave të biletave

Ndeshja e së dielës mes Romës e Lacios ka dhënë një nga rezultatet më të parashikueshme të këtij sezoni, një nga ndeshjet më të shëmtuara të vitit. Për këtë arsye, të paktën për një herë tifozët romanistë e lacialë kanë rënë dakort, duke qenë se kanë kërkuar kthimin e parave të paguara për biletat. Gjatë ndeshjes, dy tifozeritë kanë filluar të fishkëllejnë dhe të këndojnë kore të tipit “Palaço, palaço”, kundër të dyja skuadrave. Shkaku i kësaj pakënaqësie ka qenë barazimi i çuditshëm që është arritur në fushë, me 22 lojtarë që mundoheshin në maksimum... për të mos luajtur futboll. Me siguri ka qenë një nga ndeshjet më të pashikueshme të sezonit, me dy skuadra që praktikisht nuk kanë pranuar të sulmojnë dhe të rrezikojnë të fitojnë. Edhe shifrat e kësaj sfide flasin qartë: në 90 minuta, vetëm 13 gjuajtje në portë nga të dyja skuadrat, ndërsa përplasjet mes futbollistëve kanë qenë vetëm 24. Sipas statistikave, Roma - Lacio është ndeshja e parafundit për gjuajtje në portë gjatë gjithë kampionatit. Ndërkohë, Kodakons, shoqata e konsumatorëve në Itali, ka marrë sinjalizime të ndryshme nga ana e disa spektatorëve të pranishëm në stadiumin “Olimpiko”, për të kërkuar informacione rreth kthimit të parave të paguara për biletën e derbit. Shoqata e konsumatorëve e konsideron të mundshëm një apel te gjykatësi i paqes dhe ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Konsob-it, instituti që vëzhgon klubet e kuotuara në bursë. “Kjo për arsyen sepse lexohet nëpër gazeta për mundësinë e një marrëveshjeje midis dy klubeve për ta mbyllur ndeshjen në barazim. Një rrethanë që, nëse do të vërtetohej, do të falsifikonte vlerën e aksioneve të Romës e Lacios, npërmjet rezultateve sportive të trukuara”, bën të ditur presidenti i Kodakons-it, Karlo Rienci. Një marrëveshje që e ka mohuar kategorikisht kapiteni i Lacios, Paolo Di Kanio, i cili nuk e pranon akuzën e tradhëtisë. Sulmuesi lacial deklaroi ditën e djeshme: “Nuk ndihem në faj për asgjë, përndryshe nuk do të shkoja poshtë tribunës së tifozëve. Por kam qenë edhe unë në fushë dhe e kuptoj hidhërimin e tifozëve, por thjesht ka mbizotëruar frika nga humbja. Nuk ishim në lartësinë e duhur, por një marrëveshje nuk do të ndodhte kurrë”. Të jetë e vërtetë?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›