PD kundër amendamentit për policinë
17/05/2005 Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Kuvend kanë kërcënuar me bojkotim të seancës plenare në rast se amendamenti për policinë vjen për miratim në parlament. Sipas kryetarit të Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, amendamenti për shtimin e forcave të policisë kriminale për garantimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve bëhet në një kohë tejet të vonuar. Ai tha se “ky është dëmtim i njëanshëm i marrëveshjes zgjedhore të arritur mes dy partive politike. Amendamenti jo vetëm që nuk e ndihmon procesin, por, përkundrazi, e dëmton atë". Për këtë arsye, Topi ka kërkuar përjashtimin e propozimit nga seanca e ditës së enjte, duke kërcënuar se, nëse kjo gjë nuk do të ndodh, atëherë opozita do të braktisë seancën. Për ish-bashkëkryetari i komisionit bipartizan, Jemin Gjana, përfshirja e policisë kriminale në administrimin e zgjedhjeve, mund të shërbej si një mjet presioni ndaj votuesve, duke minuar në këtë mënyrë të gjithë procesin. “Policia kriminale mban dosje të shumta, të cilat mund të përdoren si mjet presioni ndaj subjekteve të ndryshme, duke shkaktuar panik dhe pasiguri në procesin e votimit”, është shprehur Gjana.