E Hënë, 2 Nëntor 2026

Milan, telashet nisin nga mbrojtja

17/05/2005  Kuqezinjtë kanë shfaqur probleme të mëdha javët e fundit në repartin e mbrojtjes, i konsideruar më i sigurti

Pas barazimit në Leçe, Milani i ka thënë përfundimisht lamtumirë titullit kampion dhe tani e gjithë vëmendja është spostuar te finalja e Ligës së Kampioneve, më 25 maj në Stamboll. Ajo që shqetëson Karlo Ançelotin, në prag të përballjes me Liverpulin, është mbrojtja, e cila javët e fundit nuk është dukur aq solide si më parë gjatë këtij sezoni. Për ndeshjen e Stambollit, trajneri kuqezi do të duhet të bëjë edhe pa Ambrozinin, i cili është dëmtuar në ndeshjen me Leçen. Në tre ndeshjet e fundit, Milani ka pësuar mesatarisht dy gola për ndeshje dhe kjo është një e dhënë shumë shqetësuese. Por akoma më shqetësues janë gabimet e atyre që janë yjet e një prapavije që deri pak kohë më parë ishte pothuajse e pakalueshme. Lojtarë si Stam, Maldini e Dida po shfaqin pasigurira të theksuara, që praktikisht kanë qenë vendimtare në rezultatet negative të skuadrës. Pra, Karlo Ançeloti ka një detyrë të dyfishtë në këto 9 ditë që kanë mbetur nga finalja, sepse duhet të punojë me gjendjen fizike jo shumë të mirë të disa lojtarëve, por sidomos duhet të rregullojë gjendjen psikologjike të kuqezinjve, që nuk janë dukur shumë të sigurtë për forcën e tyre ndeshjet e fundit. Sforcimet e një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm si ai aktuali po ndihen, sidomos në këmbët dhe kokën e një reparti me një moshë mesatare jo të ulët dhe me lojtarë që kanë pasur jo pak probleme fizike, si Stam e Kaladze. Por nëse mbrojtja është e para që është futur në krizë, edhe repartet e tjera nuk e lënë shumë të qetë Ançelotin, i cili pas sfidës me Leçen ka folur për mungesë qartësie. Në mesfushë, gjendja e Sedorfit e Pirlos nuk është aspak e kënaqshme, ndërkohë që i vetmi element që mund të bënte diferencën, Masimo Ambrozini, është bllokuar për një tërheqje në kofshën e majtë dhe për të sezoni ka mbaruar. Në këto kushte, vështirë se Milani do të mendojë për dy ndeshjet e fundit të kapionatit, pasi tashmë duhen shtrënguar dhëmbët dhe duhen bërë mirë llogaritë për finalen e Stambollit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›